English

Qytetarët firmosin kundër importit të plehrave

Vlorë, 29 tetor 2011, NOA – Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i rikthyer në Kuvend nga Presidenti i Republikës, i polemizuar e kundërshtuar tejet, jo vetëm nga opozita, por edhe ekspertët e mjedisit, e intelektualë, si tejet i rrezikshëm për vendin, ka bërë që edhe aktivistët e rinj të “Kuvendit Civili” të përfshihen në një aksion qytetar, kundër importit të plehrave, që do të kulmojë me një tjetër protestë para ministrisë së Mjedisit, në 3 nëntor. Ky aksion për mbledhjen e firmave, në kuadër të peticionit “Kundër Importit të Plehrave”, ka mbërritur në ditën e tretë të tij. Aktivistët e “Kuvendit Civil” zbritën sot në qytetin bregdetar të Vlorës, ku inkurajuan qytetarët të nënshkruajnë peticionin kundër importit të plehrave në Shqipëri. Ishin të shumtë qytetarët e Vlorës që e mirëpritën dhe iu bashkuan kësaj nisme, duke nënshkruar emrin e tyre në peticion. Madje, disa qytetarë në shenjë mirënjohjeje i dhuruan aktivistëve të “Kuvendit Civil”, sende simbolike, si libra dhe objekte të tjera. Aktivistët e “Kuvendit Civil” vunë nëpër pemët karakteristike të Vlorës lajmërimet për protestën e datës 3 nëntor, dhe i bënë thirrje qytetarëve të Vlorës të bashkohen në këtë nisëm për një Shqipëri pa plehra. Turi i nënshkrimit të peticionit do të vazhdojë dhe në qytete të tjera. Të hënën aktivistët e “Kuvendit Civil” do të ndalojnë në qytetin e Fierit. Dy javë më parë, Presidenti Bamir Topi ktheu mbrapsht ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane, duke kundërshtuar një pikë të tij, atë të importit të plehrave. Pikërisht kjo pikë, ka bërë që Kreu i Shtetit të mos dekretonte ligjin e shumëpolemizuar jo vetëm nga opozita. Presidenti në refuzimin e dekretit të tij, sqaroi se “synimi i ligjit duhej të ishte reduktimi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë që prej vitesh përbën një problem të rëndë dhe të rrezikshëm për jetën e qytetarëve”. Andaj sipas Presidentit, lejimi i importeve të plehrave bie në kundërshtim me këtë objektiv. Mosdekretimi nga Presidentit erdhi, vetëm një javë, pasi mazhoranca e kishte miratuar në Kuvend, ligjin në fjalë pa votat e opozitës, e cila e kundërshton fuqishëm. Kreu i shtetit, cilësoi madje se ligji ka mospërputhje dhe dispozita, që shkojnë ndesh me vetë objektin e krijimit të tij. Sipas Presidentit, importi i plehrave nuk ndihmon në arritjen e objektivit për pakësimin e tyre në territorin shqiptar. Ndërsa, opozita e kundërshtoi ligjin, pasi Shqipëria sipas saj rrezikon të shihet nga mafia italiane e mbetjeve, si një vend ideal për depozitimin e mbetjeve të rrezikshme. Pas rikthimit të ligjit në Kuvend, ky i fundit, përtej polemikave të shumta dhe kundërshtimeve, do të duhet ta rihedhë në votë ligjin. E nisur nga fakti, se mosmarrëveshjet mes Kreut të Shtetit dhe mazhorancës nuk janë të dukshme vetëm në sipërfaqe, është e qartë se ashtu si herët e tjera, mazhoranca pritet ta rikthejë në votë, pa i hequr ndoshta as edhe një presje ligjit, dhe aq më pak, pjesës së importit të mbetjeve urbane, të cilat sikundër mazhoranca thotë, duket se do të jenë lënda e parë për riciklimin e mbetjeve në fabrikat e riciklimit të tyre në Shqipëri. Kjo gjithnjë nëse ligji nuk hidhet në referendum popullor, se në këtë rast të dytë, do t’i duhet popullit të vendosë. mit/NOA

KOMENTE