Uashington, 29 tetor, NOA - Në momentin kur lufta diplomatike për Kosovën është në vazhdim e sipër dhe është marrë vendimi mbi vazhdimin e integrimit evropian, qeveria e Serbisë ka vendosur të angazhojë një nga kompanitë më të fuqishme në Uashington "Podesta Group" për të lobuar për interesat e Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi konfirmohet nga e përditshmja serbe 'Blic', sipas të cilës, kontrata është lidhur më 1 tetor të këtij viti për një pagesë mujore prej 100.000 dollarësh.
Ajo shton se një pjesë e parave, prej 25.000 dollarësh, do të shkojnë në "Uhite Robert", një kompani që "Podesta Group" ka angazhuar për të lobuar për Serbinë në Kongresin Amerikan.
Sipas marrëveshjes së kontraktuar, detyra e "Podesta Group" do të jetë për të kontribuar në realizimin e qëllimeve strategjike të Serbisë, të mundësojë zhvillimin e marrëdhënieve të dobishme dhe efikase në mes të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësojë interesat e Serbisë në të gjitha institucionet relevante dhe ekonomike amerikane.
Kjo është kontrata e parë e këtij lloji në përfundimin që nga fillimi i vitit, kur të gjitha kontratat për lobim janë anuluar në përputhje me masat shtrënguese ekonomike në këtë vend. 'Blic' pohon gjithashtu se është përpjekur për të marrë disa detaje më shumë në qeverinë e Serbisë rreth kësaj kontrate lobimi, por pa sukses. As Ambasada e Serbisë në Uashington nuk donte të bënte ndonjë koment rreth kësaj.
n.e/NOA