Tiranë, 30 tetor 2011, NOA- Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, ka dhënë sot nëpërmjet vendimit të gjyqtarit Besnik Hoxhaj masën e arrestit për autorin e dyshuar si vrasësi i argjendarit Rrapo Sinanaj.
30 ditë burg për 27 vjeçarin nga Kosova Nexhat Mulaj, i akuzuar për vjedhje me armë me pasojë vdekjen, ngjarje kjo e ndodhur më 21 tetor në një argjendari të kryeqytetit afër rrugës “Siri Kodra.
Gjykata ka lenë një afat kohor prej 30 ditësh për t’i dhënë mundësinë Prokurorisë të mbledhë dhe të paraqesë të tjera prova kundër Nexhat Mulajt.
Në momentin e krimit, viktima 62 vjeçari Rrapo Sinanaj, ka qenë në dyqanin e tij duke shitur, kur autori ka hyrë brenda i maskuar dhe pak para ngjarjes ka pasur një konflikt mes tij dhe viktimës, kjo pasi autori i krimit ka tentuar të grabisë varëset, sasinë e parave si dhe pajisjet e tjera me vlerë ndërsa viktima e ka kundërshtuar.
Pas kësaj autori e ka qëlluar me plumb në kokë dhe në trup pronarin e argjendarisë duke i provokuar edhe vdekjen e menjëhershme, por kapja e tij u bë e mundur vetëm ditën e premte pas dëshmive të shumta të mbledhura rreth tij.
Nexhat Mulaj, i lindur në Vitak të Komunës Skënderaj, Kosovë dhe banues përkohësisht në Tiranë u prangos nën pistën kryesore për vrasjen, si ajo e grabitjes, ndërsa mësohet se 27-vjeçari kishte ardhur në Tiranë vetëm pak ditë para krimit.
Arrestimi i Mulajt u bë pas hetimeve intensive nga strukturat e hetimit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 karta identiteti në emër të autorit Nexhar Mulaj, ku 4 prej tyre ishin lëshuar nga autoritetet kosovare, ndërsa 1 kartë ishte lëshuar nga autoritetet shqiptare.
a.y/NOA