English

Berluskoni: Euro nuk bindi askënd, monedhë e çuditshme

Romë, 29 tetor 2011, NOA / Irma Toptani - “Monedha euro nuk bindi asnjë. Është një monedhë e çuditshme dhe nuk ka një bankë qendrore si institucion reference”. Kjo deklaratë e kryeministrit italian Silvio Berluskoni, bërë në një takim për tregtinë e Italisë me vendet e eurozonës, ka habitur të pranishmit dhe ka ngjallur reagime të menjëhershme. Berluskoni ka vijuar duke thënë se mungesa e një qeverie të unifikuar evropiane për ekonominë, e ka lënë monedhën e përbashkët si jetime, dhe në fatin e saj. “Për këtë arsye, sepse është si një foshnjë e re, euro po sulmohet nga fituesit e bursave, të cilët po nxitojnë të mbulojnë borxhet e vendeve në krizë”, është shprehur Berluskoni. Pak më vonë kryeministri italian reagoi duke thënë se deklaratat e tij janë keqkuptuar. “Euro është flamuri ynë, por ka gjithmonë persona, që duan t’i keqinterpretojnë dhe t’u japin tone keqdashëse deklaratave të mia”, ka thënë Berluskoni. “Italia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të mbrojtur euron. Por, problemi është se, euro është e vetmja monedhë në botë, që nuk ka një qeveri të unifikuar, pa një bankë, të cilës mund t’i referohen të gjithë. Prandaj dhe kjo monedhë po sulmohet”. Këto deklarata ngjallën reagimin e opozitës së majtë, e cila deklaroi, duke thënë se këto qëndrime janë të rrezikshme, në një kohë kur Italia është nën mbikqyrje të rreptë nga Bashkimi Evropian. mit/NOA

KOMENTE