Shkup, 30 tetor 2011, NOA - Analistët politik dhe organizatat joqeveritare vlerësojnë se, raportet e fundit të KE-së për progresin e Maqedonisë kanë ndikuar në përhapjen e euroskepticizimit, sidomos tek popullsia maqedonase.
Sipas tyre, viteve të fundit Maqedonia po vendnumëron dhe lidershipi i saj po tregohet i shurdhër ndaj kërkesave të Brukselit zyrtarë për ndryshimin e emrit kushtetues dhe realizimin e reformave të domosdoshme për demokratizimin e vendit. Analisti, Mersel Bilalli thotë se nxitja e euroskepticizmit do të thotë nxitje e proceseve jo demokratike në vend si dhe ndarje e popullisë edhe në një bazë tjetër.
“Me këtë bëjmë një prerje të thellë mes atyre që janë për në Evropë dhe ata që dëshirojnë të kthehen kundër Evropës. Kështu ndarjet edhe në planin eurointegrimeve janë një punë serioze kur merret parasysh fakti se shoqëria është e ndarë edhe në shumë segmente tjera,” është shprehur Bilalli.
Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE), vlerëson se mosintegrimi në NATO dhe Bashkim Evropian do të sjellë ndarjen e shtetit.
Sipas OBRIE, mbi 95 për qind e shqiptarëve janë për anëtarësim në NATO dhe BE, si dhe për ndryshimin e emrit kushtetues, ndërsa tek maqedonasit kjo për qind është në rënie e sipër, njofton agjencia e lajmeve INA.
Kjo organizatë vlerëson se shqiptarët në Maqedoni nuk shohin alternativë tjetër pos integrimeve euroatlantike, ndërsa maqedonasit kanë dilema dhe ende bëjnë kalkulime në këtë drejtim.
“Stabiliteti dhe zhbllokimi i proceseve euro-integruese do të kontribuojnë drejt stabilitetit dhe zhvillimit më të mirë ekonomik të Maqedonisë. Nëse vazhdon bllokimi i proceseve euroatlantike në vend, shqiptarët do të kërkojnë forma tjera për tu bërë pjesë e familjes evropiane, ” vlerëson OBRIE. NOA/INA