English

Demokracia, pushtet i popullit

Nga Alban Daci Një sondazh i bërë në 2005-ën, nga Gallup International, mbi 50 000 persona në 60 vende të botës, ka zbuluar se 63% e qytetarëve mendojnë se liderët politikë janë të pandershëm; 60% mendojnë se ata kanë në dorë shumë pushtet, 52% mendojnë se liderët politikë sillen në mënyrë jo etike dhe rreth 39% mendojnë se ata nuk kanë vizione dhe nuk janë konkurrues në aktivitetin e tyre si përfaqësues të qytetarëve. Demokracia përfaqësuese, ose forma, me të cilën qeveriset në pjesën më të madhe të botës, po shfaqet gjithnjë e më shumë me limitet e saj. Mbështetësit e kësaj forme jo të drejtpërdrejtë të demokracisë, nënvizojnë se problemi është i përkohshëm, i shkaktuar nga disa rryma politike, që u krijuan pas rënies së Marksizmit në vitin 1989. Ndoshta, edhe kjo mund të jetë një ndër arsyet. Megjithatë, arsyeja kryesore, ndoshta qëndron në ndryshimet e mëdha, që kanë pësuar kushtet ekonomike e sociale gjatë gjysmë të shekullit, që lamë mbrapa. Edhe në demokracinë e drejtpërdrejtë qytetarët votojnë herë pas here për të zgjedhur parlamentarët dhe Presidentin, të cilët pastaj i lënë t’i përfaqësojnë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës. Ekzaktësisht si tek demokracia përfaqësuese. Duhet theksuar se në Shqipëri, Presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt me votën e qytetarit. Pra, ai nuk zgjidhet nga populli. Gjithashtu, me ligjin elektoral, që ka sot Shqipëria, ku nuk garojnë kandidatët, por subjektet politike, mund të themi pa frikë se Presidentin nuk e zgjedh Parlamenti, si institucioni më i lartë përfaqësues, por partitë politike. Pra, edhe këtë të drejtë themelore nuk e kanë në dorë qytetarët, por elitat politike, të cilat ndoshta jo vetëm nuk përfaqësojnë interesin qytetar, por mund të shfaqen edhe kundër tij. Në demokracinë e drejtpërdrejtë ashtu si në demokracinë përfaqësuese qytetarët votojnë për të pasur përfaqësuesit e tyre. Por, në demokracinë e drejtpërdrejtë, një grup zgjedhësish, nëse e shikojnë të arsyeshme një ligj të aprovuar nga Parlamenti ose që mund të pengohet për aprovim po nga Parlamenti, e vendosin përmes referendumit popullor para gjykimit të qytetarëve. Duhet të bëjmë dallimin mes referendumit dhe plebishitit. Plebishitet janë instrumente që përdoren nga diktatorët (Hitler, Pinochet…) dhe nga njerëz, që janë të dashuruar pas pushtetit të fortë (Napoleoni, de Gaulle), të cilët e përdorin plebishitin për të legjitimuar pikërisht pushtetin. Referendumi i vitit 1978 në Kili, pas protestës së OKB-së ndaj regjimit të Pinochet-it. Në atë kohë klika ushtarake në qeverisje gjoja pyeti popullin nëse e mbështeste këtë lloj qeverisjeje dhe rezultati doli 94-95% pro saj. Një plebishit kushtetues, që preku kushtetutën e vitit 1925, u organizua po aty, në vitin 1980 dhe përsëri me një votë pro prej 68.5% iu zgjat mandati Pinochet-it deri në vitin 1989. Tentativë për të forcuar një formë absolute të pushtetit në Shqipëri ishte edhe referendumi i vitit 1994 për ndryshimin e Kushtetutës, por që u hodh poshtë masivisht nga qytetarët. Referendumet dhe iniciativat popullore (ose qytetare) janë të shkruara dhe të iniciuara pikërisht nga qytetarët pa pasur nevojë për mbështetjen e qeverisë ose të politikanëve. Është një instrument, që qëndron fort dhe i palëkundur në dorën e qytetarëve, për të kontrolluar aktivitetin e qeveritarëve në veçanti, dhe të vetë sistemit politik në përgjithësi. Kampion në lidhje me referendumet është Zvicra, e cila, që nga kushtetuta e 1848-ës deri në vitin 2006 ka organizuar 540 referendume federale, dhe në nivel kantonal ka një shifër prej 10 referendumesh të organizuara për çdo vit. Duhet të theksuar, se jo vetëm Zvicra, që me të drejtë mund të konsiderohet piedestali i referendumit, por të gjitha demokracitë perëndimore, duke përfshirë në dekadat e fundit edhe vendet e Amerikës Latine, e kanë përdorur referendumin si një instrument popullor, për të zgjidhur çështje të rëndësishme në nivel lokal e kombëtar. Edhe pse në këto vende referendumi po bëhet gjithnjë e më shumë një instrument çelës për demokracinë e drejtpërdrejtë. Në Shqipëri, referendumi jo vetëm që nuk praktikohet, por është edhe i panjohur. Kjo na bën të mësojmë, se demokracia e drejtpërdrejtë në Shqipëri nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Koncepti bazë i demokracisë është: Të gjithë njerëzit, duhet të kenë pjesë të barabartë për të vendosur se si duhet të qeveriset vendi. Disa janë të pasur, disa të tjerë janë të varfër, disa janë të zgjuar, disa të tjerë më pak, disa e duan Zotin, disa të tjerë mund të duan një njeri të veçantë, po sa Zoti. Nuk kanë rëndësi diferencat mes tyre, që të gjithë gëzojnë të drejta. Po ta ballafaqojmë këtë koncept teorik me realitetet e vendeve demokratike të botës, ku të gjithë, përveç disa qindrave, nuk kanë funksione demokratike. Sistemi i demokracisë përfaqësuese është një sistem i lindur në shekullin e 19-të dhe ishte i përshtatur për shoqërinë e asaj kohe. Në atë kohë shoqëria ishte e ndarë në mënyrë të qartë, mes të pasurve dhe të fuqishmëve dhe një mase të madhe të varfërish, që e kalonin kohën e tyre në fshatra e fabrika, ku fitonin sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Kishin pak mundësi të dinin se çfarë ndodhte në botë. Edukimi ishte i rezervuar vetëm për të pasurit dhe gazetat ishin shumë të kushtueshme, dhe kishin qarkullim të limituar, për të informuar opinionin publik. Sot britanikët janë sipas termave realë 5 herë më të pasur se sa një shekull më parë. Amerikanët janë 6 herë më të pasur. Italianët 13 herë më të pasur. Kjo rritje reale e pasurisë bën të mundur, që qytetarët të kenë më shumë para për të kursyer. Kështu, shumë njerëz kanë më shumë mundësi të investojnë në aksione, të kenë një shtëpi, një makinë e kështu me radhë. Persona, që kanë pasuri të mëdha ndjehen më të pavarur, janë të prirur të kenë edhe ide fikse për politikat e tyre personale. Edhe për sa i përket edukimit, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në shumë vende të botës, studimi i detyruar ka arritur deri në moshën 16 vjeç. Në Francë ka 60 herë më shumë studentë në shkollat e mesme se sa një shekull më parë. Në linja të përgjithshme numri i studentëve është rritur 50 herë më shumë se sa një shekull më parë. Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 33 herë më shumë studentë nëpër shkollat e mesme se sa një shekull më parë. Një ndër ndryshimet më të jashtëzakonshme kanë ndodhur falë zhvillimit të teknologjisë dixhitale. Me kompjuterin, internetin, celularin, aparatet fotografike dhe kamerat dixhitale, pjesa me e madhe e popullsisë mund të njohë e të dijë sekondë pas sekondi, atë, që ndodh në botë. Të gjithë këtë informacion, jo vetëm mund ta kenë të disponueshëm në formë pasive, por edhe mund të jenë vetë krijues të tij, mund ta ndajnë si dhe ta komentojnë me një masë sa më të gjerë personash. Këta tre faktorë, pasuria, edukimi, informacioni bëjnë të mundur, që qytetarët të japin një gjykim të arsyeshëm për çdo argument të caktuar. Nuk ka më asnjë lloj diference mes cilësisë së një vlerësimi të bërë nga qytetarët, dhe të një vlerësimi të bërë nga përfaqësuesit e tyre, për një çështje të caktuar. Përkundrazi, nëse mendojmë në një botë reale, qytetarët zgjedhin më mirë se sa përfaqësuesit, sepse vendimet e tyre nuk mbështeten mbi korrupsionin, forcën e lobeve, në dëshirën për të bërë karrierë politike, në faktin se mund t’i përkasin një kaste të privilegjuar, që jo rrallë herë, kanë shumë influencë për ata pak përfaqësues të zgjedhur. Një faktor tjetër ka ndryshuar qartësisht gjatë epokës tonë. Për më shumë se një shekull, pjesa më e madhe e demokracive kanë pasur përplasje mes një partie marksiste dhe një liberale. Diferenca ideologjike ishte e dukshme: nga socializmi tek individualizmi, nga ekonomia e tregut tek ajo e përqendruara. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e të ideologjisë komuniste, edhe partitë kanë ndryshuar emër e kanë modifikuar, le të themi, programet e tyre. Ideologjitë janë bërë më pak radikale, dhe diferencat janë më pak të qarta. Zbehja e ideologjisë ka pasur dy pasoja: - Partitë po bëhen organizata gjithmonë e më të fuqishme; - Personat kalojnë më shpesh sa në një parti tek një tjetër. Partitë me kalimin e kohës, jo vetëm, që nuk e mbështesin formën e demokracisë së drejtpërdrejtë, por e luftojnë atë, sepse ajo u kufizon pushtetin. Shembull tipik i kësaj sjelljeje, është Shqipëria gjatë 20 viteve tranzicion. Nuk kemi qoftë edhe një rast të vetëm, ku një parti politike të ketë marrë qoftë edhe një iniciativë të vetme referendumi për një çështje të rëndësishme, që prek interesat e qytetarëve. Ky është një argument më shumë për të vërtetuar, se partitë shqiptare dhe sistemi politik shqiptar nuk është demokratik. Demokracia e drejtpërdrejtë i bën zgjedhësit të jenë më efikasë. U jep qytetarëve më shumë përgjegjësi komunitare dhe i ndihmon të sillen edhe në mënyrë më të përgjegjshme. Demokracia e drejtpërdrejt i bën më të mirë qytetarët, duke i shndërruar në të njëjtën kohë edhe në zgjedhës më të mirë. Një ndër referendumet e para është ai konfederal i zhvilluar në vitin 1866, që u kërkonte qytetarëve nëse hebrenjtë duhet të kishin të drejta të barabarta për rezidencë. Qytetarët iu përgjigjën pozitivisht kësaj pyetjeje. Ka shumë analistë, që mendojmë se demokracia për gjatë shekullit të kaluar është zhvilluar në një gjendje të bllokuar. Ka ardhur momenti që i gjithë procesi të riformohet duke përmbushur principin bazë të demokracisë: Demokracia është qeveria e popullit.

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi20:22 - 30 Tetor 2011
    DEMOS=POPULL,KRATOS=PUSHTET *********************************** Do te thote ne demokraci pushteti i takon popullit,me perfaqesuesin e tij:PRESIDENTIN. Z.Alban Daci ky artikull me vlerat e shkrimit tuaj,duhet shperndare ne gjithe Shqiperine per te ngritur nivelin e koncepteve demokratike te popullit shqiptar,te cilin e kane mbajtur ne eresire te qellimshme per te mos njohur ABC-ne e demokracise.Ka ne Tirane fondacione qe do ta shumfishojne artikullin per ta mare falas qytetaret dhe fshataret e atdhut tone fatkeq.