Nga Artan Fuga Në muajt e fundit ka një rritje të ndjeshmërive politike lidhur me mënyrën e caktimit dhe emërimit të kandidatëve në postet e larta që drejtojnë ose përbëjnë institucione kushtetuese. Këto poste, që supozohen se janë apo do të jenë së shpejti vakante, kanë tërhequr vëmendjen e partive politike të ndryshme, sepse kuptohet që ato, nëpërmjet caktimit atje të individëve të afërt me ta, kërkojnë të rrisin influencën e tyre në majat e administratës shtetërore apo të vetë shtetit. Kanë tërhequr edhe vëmendjen e individëve që mendohet se janë kandidatë për këto vende vakante. Po kështu edhe të mediave. Publiku i gjerë është paksa indiferent, jo vetëm se atë nuk e intereson drejtpërdrejt politika, por edhe për ndonjë arsye tjetër thelbësore që do ta trajtojmë më poshtë shkarazi.
Problemi ka hyrë në rend të ditës edhe kur jo gjithmonë ka ardhur koha të diskutohet për emra. Në marrëdhëniet mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste vend zë edhe debati për të gjetur një mundësi për të gjetur vija kompromisi dhe reformash edhe në kuadrin e procedurave për të zgjedhur në postet e larta kandidatët që duhen: anëtarë gjykatash, avokat i popullit, anëtarë bordesh, guvernatorë banke, si edhe më në fund kur të vijë radha, për postin e Presidentit të Republikës.
Ka pasur disa përvoja zgjedhjesh të tyre, sipas normave kushtetuese, sipas kompromiseve politike, sipas marrëveshjeve për të ndarë zonat e influencës, sipas mirëkuptimeve të heshtura, sipas raportit të votave ose edhe trafikut të tyre etj.
Edhe sot debatohet për mënyrën sesi do të zgjidhen ata. Partia që ka shumicën në Kuvend sigurisht që kërkon të zgjidhen me votë sipas normës kushtetuese, kurse pakica opozitare, nënkuptohet dhe vetëkuptohet, që kërkon rrugën e kompromisit, të unanimitetit, ose që për shembull posti i Presidentit të Republikës të kapet nga kandidati që merr shumicë të cilësuar votash, pra edhe votat e saj.
Përtej këtij debati, përtej aspektit procedurial që te ne zë akoma “pjesën e luanit” në debatet politiko-mediatike, harrohet ana e përmbajtjes.
Çfarë dua të them me këtë? Individët që duan të kapin postet e larta qeveritare, shtetërore, financiare, nëpërmjet procedurave kuvendore, pra, përveç kryetarëve të bashkive dhe kryetarit të qeverisë, emërohen pa iu dashur që të dalin para publikut për të debatuar me rivalët e tyre ose kandidaturat e tjera konkurrente. Nuk është fjala të paraqesin me letra veten e tyre në komisionet parlamentare. Ideja është që kandidaturat konkurrente të dalin para deputetëve, publikut, mediave, për të paraqitur vizionet e tyre për detyrën që duhet dhe duan të marrin përsipër.
Sa vjet dhe sa herë radhazi janë bërë që, ta zëmë Presidenti i Republikës, zgjidhet pa thënë asnjë fjalë publikisht në konkurrencë me kandidatët e tjerë, para Kuvendit, para mediave, para publikut të gjerë, për platformën e tij personale për reformimin e postit të parë të shtetit? Po kështu kandidatët për avokatë të popullit, kandidatët për guvernator të bankës, për gjyqtarë, për kryetar të kontrollit të lartë të shtetit, për anëtar bordesh institucionesh kushtetuese etj.
Një konspiracion i tërë.
Nuk është frymë demokratike kur kandidatët votohen pa debatuar me njëri-tjetrin si konkurrentë. Kur mendojmë se Hilari Klinton dhe presidenti Obama debatuan fort me njëri-tjetrin para opinionit të Partisë Demokrate dhe elektoratit të saj, gjithë shoqërisë... Në Francë sapo përfunduan primaret socialiste, ku gjashtë kandidatë të Partisë Socialiste pretendentë për të qenë kandidat për postin e Presidentit të Republikës debatuan për javë të tëra para medias dhe opinionit të gjerë shoqëror se kush do të ishte më i përshtatshmi.
Nuk mbaron demokratizimi te debati për procedurat parlamentare për të zgjedhur kandidatët që dëshirojnë të zënë poste të larta shtetërore. Nuk mjafton kjo aspak. Duhet ata të konkurrojnë nëpërmjet debatit të hapur, të rreptë, të ashpër, por etik, demokratik, në Kuvend, para medias, para gazetarëve që t’i mbysin me pyetje, para publikut të gjerë. Përndryshe, ky i fundit do të bëhet i huaj ndaj procedurave dhe kandidatëve të përzgjedhur.
Po të perifrazoj një frazë që përdoret në tregtinë transparente dhe të ndershme: Na duhen kandidatë me provë! Si na thotë tregtari kur na fton të blejmë një frutë që nuk duket si e ka zemrën brenda..., sa i pjekur është...
Disa çështje gjithmonë janë të debatueshme mes kandidatëve: Përse e dëshiron atë post? Përse mendon se je i aftë për atë post më shumë se të tjerët, rivalët e tu? A mendon se posti që synon është formuluar drejt juridikisht? Si mendon ta reformosh dhe ta përdorësh për të mirën publike?
Pa u përgjigjur për këto pyetje në hollësi, pa debatuar me rivalët e vet publikisht mbi këto çështje, ne do të kemi kandidatë që do të zgjidhen me këtë apo atë procedurë parlamentare, por kjo është vetëm njëra anë e çështjes. Nuk do të kemi si publik kontratë morale me kandidatët. Nuk do të dimë se çfarë presin ata prej postit dhe posti prej tyre. Nuk do të dimë se çfarë synojnë dhe ku duhet të mbërrijnë në ambiciet e tyre personale politike.
Kapja e posteve të larta duhet të shndërrohet përtej një çështjeje procedurale, në një çështje demokracie, transparence, desha të them konkurrence të ndershme personale para publikut dhe mediave. Gazeta "Mapo"