English

Partitë e reja dhe hapësira politike

Nga Mark Marku Kohët e fundit në dy krahët e spektrit politik shqiptar janë paralajmëruar lëvizje që sipas gjasave mund të çojnë në krijimin e partive të reja politike në Shqipëri. Nga e djathta, presidenti Topi ka dhënë sinjale se, nëse nuk do të rikanditohet në postin e Presidentit të Republikës, do t’i rikthehet politikës nëpërmjet një partie të re. Deri tani si pararojë e partisë së re të tij duket se është Aleanca Kuq e Zi dhe disa figura të PD-së që janë larguar nga PD-ja dhe që kanë mbetur të paangazhuar në politikë. Nga e majta, disa figura të Partisë Socialiste, më të spikaturit prej të cilëve Islami, Malaj, Harasani, Haxhiymeri, por edhe të tjerë i kanë shfaqur prej kohësh jo vetëm pakënaqësitë, por edhe mundësitë e krijimit të një partie të re të majtë.

Edhe pse deri tani mundësia e krijimit të këtyre partive ka qenë më tepër kërcënim politik, mundësia e konkretizimit të këtyre lëvizjeve në formacione politike të reja është jo e pakët. Një gjë e tillë është bërë e zakonshme në politikën shqiptare dhe pikërisht për këtë arsye ia vlen për ta analizuar.

Duket se partitë e reja që priten të krijohen burojnë nga pakënaqësitë e krijuara prej atyre që pritet të jenë themeluesit e tyre me dy partitë e mëdha. Nëse ndodh ekzaktësisht ajo që ka ndodhur me partitë e tjera të shkëputura nga formacionet e mëdha politike, do të jemi para një dukurie politike tashmë të konsumuar. Domethënë do të kemi disa parti që në fazën e parë shfaqin një lloj interesi dhe dinamizmi, më pas vrulli i tyre bie dhe më pas fushata më e afërt sjell dështimin. Këtu nuk kemi asgjë për të zbuluar pasi historia e secilës nga partitë e vogla të dala nga partitë e mëdha ka patur të njëjtën harkore historike. Bën këtu përjashtim vetëm LSI-ja e cila ka arritur të shkëputet nga PS-ja, të krijojë një elektorat të konsiderueshëm dhe të bëhet faktori i tretë i spektrit politik.

Ka shumë arsye pse kanë dështuar formacionet e deritashme të dala nga partitë e mëdha, por këtu poshtë do të rendisim më të rëndësishmet.

Zakonisht partitë e reja të rëndësishme, lindin ose nga rryma mendimi dhe lëvizje të reja politike ose nga pakënaqësitë e mëdha. Në rastin shqiptar, (dhe më duket se kësaj i brendashkruhen edhe rastet e krijimit të partive të reja që janë shfaqur në horizont), partitë e reja nuk kanë përfaqësuar dhe as nuk pritet të përfaqësojnë ndonjë lëvizje të qenësishme politike apo rrymë mendimi e njëherësh as pakënaqësi të mëdha dhe rrjedhimisht edhe nevoja të mëdha për ndryshim. Në të vërtetë në politikën shqiptare ka nevoja të mëdha për ndryshim dhe te qytetarët ka pakënaqësi të mëdha ndaj aktorëve politikë, por problemi është se grupet e reja nuk shfaqen si nevojë e realizimit të këtyre ndryshimeve, por si shfaqje e pakënaqësive individuale.

Pavarësisht kësaj, edhe pse këto parti nuk sjellin ndonjë risi nga pikëpamja e përfaqësimit politik, ato ndikojnë në ndryshimin e raporteve mes forcave politike në Shqipëri. E thënë më qartë, këto parti mund të mos sigurojnë një elektorat të konsiderueshëm për t’u shndërruar vetë në forca politike kryesore, por ato mund të ndikojnë në humbjen elektorale të njërës apo tjetrës parti. Pesha e tyre në këtë drejtim rritet edhe më shumë nëse formacionet e mëdha politike ekzistuese sillen në mënyrë arrogante duke mos reaguar si duhet ndaj lëvizjeve që mund të sjellin pakësimin e elektoratit të tyre. Gazeta "Mapo"

KOMENTE