Pukë, 30 tetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi, zhvilloi sot në mesditë një vizitë në qytetin e Pukës, ku mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm tradicional “Sofra Pukjane 2011” që po zhvillohet për të katërtin vit radhazi.
Pasi vizitoi “Ekspozitën etno-kulturore” të qytetit të Pukës, Kreu i Shtetit mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm “Sofra Pukjane 2011”, në koncertin e madh festiv me këngë dhe valle popullore e karakteristike të trevës, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Eqerem Çabej”.
Me këtë rast, u zhvillua edhe ceremonia e dekorimit të dy personaliteteve të njohura të Pukës, ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve, Presidenti i Topi i dorëzoi Elez Selimit, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për punë të palodhur e plot përkushtim në shërbim të shëndetit të njerëzve, për rezultate të larta në aplikimin e arritjeve bashkëkohore të mjekësisë në vendin tonë”, si dhe familjarëve të Mark Dodë Alia (Pas vdekjes), Urdhrin “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Veprimtarit patriot, i cili jetën e vuri në shërbim të bashkimit, arsimimit dhe përparimit kombëtar dhe që diti t’i qëndrojë me dinjitet persekutimit të regjimit komunist”.
a.y/NOA