Tiranë, 30 tetor 2011, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar menjëherë pas deklaratës së deputetëve demokratë të Komisionit të Ligjeve.
Në qëndrimin e tij Rama shpreh keqardhjen për reagimin brutal të deputetëve të Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve, lidhur me tryezën publike të organizuar nga deputetët socialist mbi drejtësinë në sfidën e integrimit.
“Nëse mungesa e palës së tyre në atë tryezë ishte e pajustifikuar, ky reagim është i pajustifikueshëm. Megjithatë Partia Socialiste do të vazhdojë politikën e saj të dorës së shtrirë për të mundësuar integrimin e vendit dhe mospërsëritjen e dështimit dramatik për të tretën herë”, shprehet Rama.
Më tej ai shton se, se kush e ka përgjegjësinë kryesore për dy dështimet rresht këtë e thotë qartë Progres Raporti dhe e shpjegoi me një qartësi të admirueshme ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës vetëm pak ditë më parë.
Rama tha se socialistët nuk duan të humbasim energji e kohë me fajësime dhe as të biem në batakun e sharjeve ku llokoçitet përditë politika e qeverisë.
“Ne duam ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kemi ofruar një pakt dhe s’do rreshtim së ofruari ide europianizuese dhe përkushtim patriotik. Shqiptarët le të bëjnë dallimin. Ky është rasti për t’i falënderuar të gjithë kontributorët e nderuar të tryezës dhe të gjithë partnerët e miqtë ndërkombëtarë, të cilët iu përgjigjën pa asnjë përjashtim ftesës së deputetëve tanë të Komisionit të Ligjeve për të qenë të pranishëm”, vijon fjalën e tij Rama duke theksuar se së shpejti do të publikohet Raporti i Tryezës me kontributet e zgjeruara të të gjithë pjesëmarrësve.
Më herët gjatë ditës së sotme deputetët demokratë e kanë cilësuar ftesën e socialistëve si të pasinqertë dhe se sipas tyre, Rama më parë duhet të kërkonte falje për bllokimin e integrimit të vendit, duke mos votuar reformën në drejtësi.
Ata e kanë cilësuar aktivitetin si një veprimtari propagandistike të kreut të PS-së, duke akuzuar edhe një pjesë të përfaqësuesve të drejtësisë që po ndihmojnë Ramën për të bllokuar reformat . Sipas tyre, “Rama këtë herë bllokimin po kërkon ta realizojë nëpërmjet veglave të verbra të PS në gjirin e drejtësisë”.
Deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve në qëndrimin e tyre u shprehën se rruga e reformës është e papajtueshme me shfaqe të tilla të nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë.
a.y/NOA
Në foto: Edi Rama