English

Rritja e mirëqenies nga puna, dhe jo nga borxhet

Nga Arben Malaj Rritja ekonomike e lartë dhe e qëndrueshme, rritja e punësimit dhe rritja e mundësive të barabarta mund të sjellin rritje të mirëqenies. Spiralja e rritjes së çmimeve të pasurive nga rritjet e blerjeve me kredi dhe tendenca për të blerë sa më shumë, me qëllim rritjen e fitimeve, ka gjithnjë një fund të hidhur…Flluskat e çmimeve që fryhen shumë dhe shpejt shumë një ditë do të plasnin, çmimet do të binin menjëherë, huamarrësit e gëzuar do të shndërroheshin brenda natës në borxhlinj të këqij të bankave. Kur analizon shkaqet e krizës globale, kupton se një nga faktorët kryesorë ka qenë rritja e borxheve, rritja e “mirëqenies” e mbështetur jo nga të ardhurat e krijuara nga puna, por nga kreditë. Borxhet e rritura, pabarazia e rritur dhe përqendrimi i pasurisë në pak individë do të influencojnë zhvillimet e ardhshme sociale dhe politike. Sot po analizohen risqet e çdo vendi jo thjesht nga përmasat e borxhit publik, borxhit që qeveritë kanë ndaj blerësve të bonove të thesarit, por edhe shkalla e borxhit që kanë kompanitë private dhe konsumatorët e tyre ndaj bankave. Spanja, para pak kohe vlerësohej për shkallën e kontrolluar të borxhit publik, por kishte shumë të larta borxhet e kompanive private dhe konsumatorëve ndaj bankave. Rritja e kërkesës, e ushqyer nga rritja e kredisë, rriti artificialisht çmimet duke nxitur marrjen e kredive me shpresën se rritja e çmimeve do të ishte e përhershme dhe ata do të pasuroheshin nga shitja, në një kohë të dytë, e pasurive të patundshme. Rezultati final ishte numri i madh i viktimave të pasurimit nga rritja e kredive, i cili do të arrinte në miliona persona. Humbjet e bankave dhe kostot në kurriz të taksapaguesve janë qindra miliardë dollarë. Fenomeni i flluskave të çmimeve që fryhen nga kërkesa e deformuar e blerjeve të ushqyera jo nga rritja e të ardhurave të konsumatorëve, por nga rritja e huamarrjes, është një fenomen që preku jo vetëm SHBA-të. Qeveria duhet të kuptojë se nuk mund ta shesë si sukses të saj rritjen me ritme të larta të marrjes se huave nga investitorët dhe konsumatorët shqiptarë. Qeveria duhet të mbajë parasysh se rritja e pasurisë që vjen nga rritja e borxheve, është një risk potencial jo vetëm mbi qytetarët shqiptarë dhe kompanitë private, por edhe mbi gjithë ekonominë tonë. Rritja e borxheve rrezikon seriozisht një numër gjithnjë e më të madh familjesh dhe biznesesh. Efekti pozitiv i rritjes se sektorit financiar nuk duhet parë në përqindjet e rritjes se kredidhënies nga njeri vit në tjetrin, por në efektivitetin e tij dhe në rritjen e produktivitetit në ekonominë e çdo vendi në tërësi. Modeli më i mirë i rritjes së mirëqenies së çdo shqiptari duhet të jetë mirarsimimi, cilësia e shëndetit dhe ambientit, duhet të jetë rritja e lirive, heqja e pengesave të zhvillimit nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, do të jetë ndalimi i keqpërdorimit të administratës publike dhe financave publike. Rritja ekonomike do të kërkojë një strukturë të përmirësuar taksimi, duke i dhënë më shumë stimul punësimit dhe jo thjesht uljes së taksave në tërësi. Kur ulja e taksave nuk kompensohet nga rritja e të ardhurave për shkak të rritjes së lartë ekonomike, ajo shndërrohet nga një taksë e ulur në një borxh i rritur. Ulja e taksave nuk duhet të bazohet në politikat përjashtimore, por në një raport më të mirë midis taksimit të kapitalit, punës dhe konsumit. Ne duhet të rrisim kërkesën totale në ekonominë tonë, si nga rritja e kërkesës së brendshme, ashtu dhe nga rritja e eksporteve. Investimi në ekonomi, që duhet të ushqejë më mirë rritjen ekonomike, duhet të vijë nga rritja e suksesit, dhe jo thjesht nga lehtësitë fiskale. Kjo e bën rritjen dhe cilësinë e investimeve më të mirë dhe më të qëndrueshme. Skemat e mikrokredisë, skemat e financimit që ndajnë riskun e kredimarrjes midis huamarrësit dhe bankave, duhet të jenë në qendër të çdo strategjie të nxitjes së punësimit nëpërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Rritja jonë ekonomike duhet të ushqehet me mire nga një sistem mikrokredie dhe financimi për te rritur punësimin, kjo strategji mund te prodhojnë efekte pozitive me mire se politikat përjashtimore apo preferenciale në aplikimin e taksave dhe tatimeve në vendin tonë. Receta më e mirë përballë sfidave të krizës dhe rritjes së mirëqenies rekomandon për çdo vend rritjen e rritjes ekonomike, që sjell rritje punësimi, dhe jo rritjen e kredive/borxheve të qeverive apo të individëve. Gazeta "Panorama"

KOMENTE