English

Standardizimi i gjuhës shqipe - e treta e vërteta

Nga Nexhmedin Spahiu Standardet gjuhësore krijohen e zhvillohen paralelisht me krijimin e zhvillimin e kombeve. Kombeve u imponohen shumë gjera në jetën e tyre, por arritje të kombeve konsiderohen vetëm ato gjëra që janë rezultat i vullnetit. Shqipja standarde nuk duhet të imponohet, ajo duhet të krijohet e të zhvillohet. Gjithë kombet e qytetëruara kanë standardizuar gjuhën. Ato këtë e kanë bërë në mënyra të ndryshme, por e kanë bërë. Shqiptarët këtë punë e bënë dy herë. Njëherë në kohën e Mbretit Zog ku u vendos që gjuhë standarde të jetë e folmja e Elbasanit si e folme e natyrshme e ndërmjetme mes dy dialekteve të mëdha dhe, herën e dytë, në praninë e shokut Enver Hoxha më 1972 kur u vendos që shqipja standarde të jetë një hibrid mes toskërishtes dhe gegërishtes me dominim të toskërishtes. Ata që donin që standardi i vendosur nga Mbreti të mos ndryshohej u vranë e u burgosën dhe kësisoj standardi i shokut Enver nën përkujdesjen e Androkli Kostollarit u vendos “pa probleme” politike. Kokat më eminente të shqiptarizmit të asaj kohe: Branko Merxhani, Krist Maloki, Ernest Koliqi, Arshi Pipa etj., nuk ishin pjesë e kësaj ngjarjeje. Madje ky standard u imponua edhe në Kosovë e Maqedoni dhe kudo që ishin shqiptarët. E folura e veriorëve: as standard as gegërishte Pa natyrshmëria e këtij standardi doli ne pah pas 30 viteve kur gjeneratat e shkolluara me ketë standard nuk arritën ta përvetësonin. Autori i këtij shkrimi ka filluar klasën e parë të shkollës fillore vitin kur u vendos ky standard. Mijëra libra të lexuar për afro 40 vite në këtë standard bënë që unë ta kem përvetësuar deri diku standardin në të shkruar, por jo edhe në të folur. E folmja ime tashmë nuk është as gegërishtja, por diçka ndërmjet standardit dhe gegërishtes. Besoj se, ku më pak e ku më shumë, ky është rasti me të gjithë kosovarët dhe gjithë shqiptarët e Veriut të Shqipërisë. Pas gati 40 viteve sfiduese për shqipen standarde unë arrij ta kuptoj ende gegërishten, por jo edhe ta flas e as ta kultivoj. Fëmijët e mi e kanë përvetësuar më mirë se unë shqipen standarde, por e folura e tyre është akoma diçka e ndërmjetme mes standardit dhe gegërishtes. Fëmijët e mi vështirë se e kuptojnë Gjergj Fishtën. Moskuptimi dhe mos shijimi i artit të Gjergj Fishtës si edhe gjithë poetëve veriorë është një varfëri kulturore të cilën e vuajnë tani të gjithë fëmijët shqiptarë. Do të ishte njësoj tragjike nëse sot fëmijët shqiptarë nuk do ta kuptonin Lasgush Poradecin. Kjo do të ndodhte sikur më 1972 të ishte vepruar anasjelltas. E folmja e jugorëve: injorim standardi Duke qenë se standardi mori më pak gjëra nga gegërishtja, jugorët as që morën mundimin t’i përvetësojnë këto pak gjëra duke e pandehur dialektin e tyre për standard të shqipes. Këtë mundim nuk e mori as vetë shoku Enver Hoxha. Duke qenë kurioz në këtë drejtim, një ditë po vëreja në ekran super yllin e gazetarisë televizive Sonila Meçe tek thoshte: mëndja, vëndi, kuvëndi (në gjuhën standarde: mendja, vendi, kuvendi). Shtrohet pyetja, nëse edhe ylli më i madh i gazetarisë televizive (e lindur pas miratimit të shqipes standarde) nuk paskësh përvetësuar shqipen standarde, atëherë kush na qenkan ata që na e paskëshin përvetësuar? “Më pas e mori fjalën studiuesi kosovar Isa Bajçinca dialekti i të cilit ishte vështirë i kuptueshëm”! Kur 15 vite më parë u hap debati për shqipen standarde në Seminarin e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Tiranë, ishin studiuesit nga Kosova ata që e kundërshtuan me ngulm çdo nismë në këtë drejtim. Për ironi, raporti i gazetares Iliriana Stringa në një gazetë të Tiranës përmbante këtë fjali: “Më pas e mori fjalën studiuesi kosovar Isa Bajçinca, dialekti i të cilit ishte vështirë i kuptueshëm”. Ashiqare standardi i shqipes jo që nuk ka zgjidhur probleme, por ka krijuar probleme. Është bërë në po atë mënyrë çfarë janë bërë të gjitha gjërat në atë kohë: me dhunë, me imponim. Po derisa banesat e ndërtuara në atë kohë, janë meremetuar me dhjetëra herë që nga rënia e komunizmit (banjot, kuzhinat, dhomat, korridoret, pullazet) dhe janë ndërtuar edhe pallate të reja, vrraga e arkitekturës socialiste ende ka ngelur. Po kështu edhe shqipja standarde është një rezultat i diktaturës së Enver Hoxhës që nuk mund të zhbëhet dhe vrragët e saj do të mbesin përgjithmonë, por koha është që të paktën të meremetojmë diçka, e të ngrejmë ndonjë “pallat” të ri, të konservojmë vlerat dialektore që kanë mbetur akoma gjallë sa nuk janë shkatërruar fare. Këtë punë e kemi bërë në jetën tonë urbane, e këtë duhet ta bëjmë edhe në gjuhën tonë. Nevoja për një kongres të ri Lidershipi, politik në Tiranë, Prishtinë e Shkup duhet të investojë në një kongres të ri ku do të ftoheshin gjithë interesentët për të ndërtuar standardin e gjuhës shqipe dhe për të konservuar vlerat dialektore. E treta e vërteta. Ta bëjmë këtë punë me vullnet e vetëdije për vlerat dialektore dhe nevojën e një standardi të shqipes të tillë çfarë është më e përshtatshme për të dy kombet tona (Shqipëri e Kosovë) dhe për gjithë shqiptarët kudo që janë. Standardet gjuhësore krijohen e zhvillohen paralelisht me krijimin e zhvillimin e kombeve. Kombeve u imponohen shumë gjera në jetën e tyre, por arritje të kombeve konsiderohen vetëm ato gjëra që janë rezultat i vullnetit. Shqipja standarde nuk duhet të imponohet, ajo duhet të krijohet e të zhvillohet. NOA

KOMENTE