Gjirokastër, 30 tetor 2011, NOA- Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo ka akuzuar sot kreun e kësaj partie, Edi Rama se po përdor partinë për interesa personale.
Në një prononcim dhënë për mediat, në cilësinë e deputetit të LSI-së dhe nënkryetarit të Kuvendit, Tavo tha se “Partia Socialiste po shndërrohet në një shoqatë në shërbim të kryetarit”.
Deklarata e Tavos u bë gjatë një takimi që ka zhvilluar dje me strukturat e kësaj partie në Gjirokastër.
Tavo u shpreh se Partia Socialiste nuk po përfaqëson më interesat e socialistëve dhe elektoratit të saj të majtë. Sipas tij, fajin për gjendjen në të cilën ndodhet sot PS-ja është i kreut të saj, Edi Rama.
“Partia Socialiste, në drejtimin e Edi Ramës, nuk mbron më aspiratat e socialistëve dhe të vendit tonë, por vetëm atë të kreut të saj. Edi Rama e ka marrë peng Partinë Socialiste dhe nuk po e lëshon edhe pse ka humbur të gjitha betejat elektorale. Rama nuk di dhe nuk do ta drejtojë PS drejt pushtetit dhe socialistët po zhgënjehen gjithnjë e më shumë prej tij”, u shpreh Tavo.
Sipas tij, socialistët po vijnë tek LSI-ja, sepse shohin që kjo forcë politike mbron parimet e majta dhe jo partia e drejtuar nga Rama.
“Është për të ardhur keq që PS, nga një forcë politike serioze në politikën shqiptare, po zvogëlohet dhe po humbet misionin e saj nën udhëheqjen e Edi Ramës. Partia Socialiste nuk ka vizionin e një partie moderne serioze dhe progresiste, por është shndërruar në një shoqatë në funksion të kryetarit të saj”, tha sot Tavo.
a.k/NOA
Në foto: Deputeti i LSI Vangjel Tavo