English

Vritet një shqiptare nga talebanët në Afganistan

Kabul, 30 Tetor 2011 NOA – Një e re shqiptare ka gjetur vdekjen si pasojë e një shpërthimi me eksploziv që ka ndodhur në afërsi të kryeqytetit të Afganistanit, Kabul.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat amerikane të cilat i referohen raporteve të mbërritura sot nga Afganistani, lidhur me sulmin e djeshëm që dyshohet se ishte sulm vetëvrasës.

Bëhet e ditur se shqiptarja ishte nga Ferizaj e Kosovës, raporton agjencia e lajmeve NOA dhe se sulmin e kanë marrë përsipër talebanët.

Ngjarja që i ka marrë jetën gruas së re shqiptare, ndodhi ditën e djeshme kur një autoblindë ushtarake u sulmua nga një person i cili dyshohet se kreu sulm vetëvrasës me pasojë shpërthimin që i mori jetën të paktën 13 personave.

Dyshimet janë se në ngjarjen e ndodhur mund të kenë humbur jetën edhe disa kosovarë të tjerë, por konfirmim zyrtar ende nuk ka.

Mësohet se shqiptarja nga Ferizaj ishte punonjëse e një kompanie të kontraktuar nga ushtria amerikane për llogari të shërbimeve ndaj forcave ushtarake të SHBA që janë dislokuar në Afganistan prej disa vitesh.

Ferizaj njihet si një nga qytetet e Kosovës që ka dërguar më shumë punonjës në kompanitë amerikane në Afganistan dhe Irak.

a.b/NOA

KOMENTE