English

Berisha akuzon Topin për përdhosje të Kushtetutës

Tiranë, 31 tetor 2011, NOA – Mosdekretimi nga Presidenti i Republikës i ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, bëri që sot kryeministri Sali Berisha të përforcojë akuzat ndaj Presidentit Topi, duke e cilësuar qëndrimin e tij ndaj ligjit, si një qëndrim kryekëput politik. Kryeministri, i cili pjesën më të madhe të mbledhjes së grupit kuvendor demokrat ia kushtoi ligjit të rikthyer në Kuvend nga Presidenti, e akuzoi atë se po përdhos Kushtetutën në funksion të ardhjes në pushtet të Kryetarit të opozitës. “Ky është fakt, që këta anëtarët e “Aleancës së Plehut”, apo zotërinjtë që duan të nxjerrin vota nga plehu, ua fshehin qytetarëve si fakt dhe u servirin mashtrimin e tyre. Nuk ndodh në ndonjë vend që të mbërthehen krerë institucionesh ndaj një projekti të kreut të opozitës për të luftuar mazhorancën”, deklaroi kryeministri. Ai akuzoi rishtas Kreun e Shtetit se mund të krijojë parti, por jo të katandiset gjer tek mbetjet për të vjelë vota, pasi siç tha Berisha, ky është mjerim i madh politik. “Ndaj dhe çdo njëri këtu mund të krijojë parti politike i ka të hapura, por askush nuk ka të drejtë dhe nuk ka amoralitet politik më të madh, sesa të përdhosësh kushtetutën, institucionin që të është besuar, në funksion të projektit të kryetarit të opozitës dhe pse, se kështu mendon ai se mund të vijë në pushtet”, theksoi Berisha. “Me një patos të pa përshkruar ata bënë thirrje për votat. Unë ju them këtyre, se nëse i shtroni çështjet në këtë mënyrë, pushteti juaj nuk kthehet më kurrë, ai i përket plehut të historisë dhe kush shqiptarëve, pushtet me mashtrime dhe trillime, nuk do të mund t’u imponojë më. Në qoftë se ju keni probleme për mjedisin urdhëroni, thoni çdo gjë konkrete, nëse e keni hallin tek votat, aleanca e plehut është e shkuara”, saktësoi kryeministri. Kryeministri rikujtoi sakaq se “Gedafi mori përgjigjen më ekzemplare, siç mori Millosheviçi disa vite më parë, të dyja këto nuk ishin vende të lira, por rregulli ndërkombëtar nuk lejon kurrë, të nëpërkëmbësh liritë dhe të drejtat”. “Ore zotëri nuk vjen kështu në pushtet?! Se institucionet nuk janë të Sali Berishës, institucionet janë të qytetarëve shqiptarë. Ata kanë dëshirë t’i respektojnë institucionet e tyre, por nuk ka sot shqiptarë , qytetarë të këtij vendi, që pas 20 vitesh të pranojë që institucionet e pavarura ti kthejë kryetari i opozitës në partiçka”, i bëri me dije shefi i qeverisë, lidershipit të opozitës. Në mbrëmje edhe kreu i selisë rozë iu përgjigj akuzave të kryeministrit në emër të ligjit për menaxhimin e mbetjeve urbane duke përdorur pyetjen retorike: “Po kush e ha këtë muhabet plehrash?”. Ndërkaq mazhoranca pritet ta rivotojë ligjin e kthyer në Kuvend për rishqyrtim, duke mos i hequr as edhe një presje, pasi sipas kryeministrit, ligji mbron Shqipërinë nga plehrat. Presidenti i Republikës Bamir Topi e riktheu në Kuvend ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, për shkak se kundërshtoi një pikë të tij, atë të importit të plehrave. Sipas Kreut të Shtetit, pika në ligj që lejon importin e plehrave në vend, bie ndesh me objektivin, për të cilin u krijuar ky ligj, atë të zhdukjes së plehrave në territorin shqiptar. mit/NOA

KOMENTE