Tiranë, 31 tetor 2011, NOA/Update – Thuajse e gjithë fjala e kryeministrit Berisha sot në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat ishte një mesazh i hapur ndaj Presidentit të vendit, Bamir Topi, por edhe ndaj kryesocialistit Rama. Fillimisht me regjistrimin e popullsisë, e më gjerësisht në kthimin që Presidenti i bëri “Ligjit për trajtimin e mbetjeve urbane”. “Ne do të trajtojmë në mënyrë kushtetuese çdo qëndrim që mbahet ndaj ligjeve të vendit nga Presidenti i Republikës.Por, qëndrimi ndaj këtij ligji është politik dhe ata që më Aleancën e Plehut përpiqen të mashtrojnë shqiptarët do t’a gjejnë veten të dëshpëruar”, tha kryeministri Berisha. Ai përmblodhi më pas arsyet, pse Shqipërisë i duhet një ligj i tillë. “Shqipëria në vitin 2006 ka firmosur MSA-në, e cila u votua në të gjithat parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Ajo është kontrata ligjore me këto vende. Konform saj, Shqipëria është e detyruar të ketë një qëndrim ligjor në trajtimin e mbetjeve urbane. Për këtë qëllim do të shkrihen mbetjet metalike si dhe industria e letrës për ambalazh. Ky ligj, e disiplinon importin e mbetjeve urbane”, sqaroi kreu i qeverisë. “Zotërinjtë që duan të nxjerrin vota nga plehu, ua fshehin të vërtetën qytetarëve. Jam i hapur për vërejtjet, edhe t’i bëj pjesë të konsultës të çdo vendimi që do të merret nga qeveria. Por të katandisesh deri të mbetjet është mjerim i madh politik”, tha Berisha. “Nuk ndodh në ndonjë vend që të mbërthehen krerë insituionesh ndaj një projekti të kreut të opozitës për të luftuar mazhorancën. Çdo njeri mund të krijojë parti politike, por askush ska të drejtë dhe ska amoralitet politik më të madh se sa të përdhosësh kushtetutën në funksion të projektit të kryetarit të opozitës. Institucionet nuk janë të Sali Berishës, por të qytetarëve shqiptarë”, shtoi kryeministri lidhur me përplasjen më të fundit mes mazhorancës dhe Presidentit Topi.
Berisha – Ramës: Kështu nuk vjen në pushtet
Më shumë se sa Presidenti Topi, sipas kryeministrit Berisha “regjisori” i situatës aktuale është kryetari i PS-së, Edi Rama dhe një marrëveshje e mundshme mes tij dhe Topit. “Rama ka faktuar se s’do të nxjerrë mësime. Por, nuk është kjo mënyra e ardhjes në pushtet. Shqiptarët presin alternativën, por ti je anti –alternativë. Nëse Rama mendon se nëpërmjet disa hiprideve do kthehet në pushtet, e ka gabim. T’i lëmë institucionet e pavarura në të drejtën e tyre dhe jo të bëjnë lojën politike”, tha Berisha në takimin me deputetët.
Propozimi i Topit për kreun e KLSH
Kryeministri Berisha paralajmëroi sot se mazhoranca nuk do të votojë emrin e Sali Shehut, kandidatin e propozuar nga presidenti Topi si kryetar i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas kryeministrit, kreu i shtetit ka shkelur hapur kushtetutën. “Ne nuk merremi me personat, rëndësi ka kuadri kushtetues. Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Presidentin që të konsultohet me Kuvendin. Dhe inatet shqiptarçe të lihen mënjanë. Nuk kemi keqardhje që nuk u konsultua me ne, por me opozitën. Por, duhet pranuar se projekti i Ramës është Don Kishotesk”, përfundoi fjalimin e tij kryeministri i vendit. a.q/NOA