Bosnjë, 31 tetor 2011, NOA - Avokati, Senad Dupovac, njoftoi që 23 vjeçari Mevlid Jashareviç ka deklaruar se nuk ka pasur bashkëpunëtorë për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Sarajevë, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters. Megjithatë, ai shprehi shqetësimin për gjendjen psiqike të të pandehurit. “Ai është konfuz dhe nuk mendoj se është i vetëdijshëm për veprimet e veta. Besoj se ai ka nevojë për një ekspertizë psiqike”, tha ai pas takimit me klientin e tij. Prokurori i shtetit të Bosnjës, Dubravko Kampara, tha se do t’i kërkojë gjykatës shtetërore të hënën që të urdhërojë masën e burgimit për Jashareviçin lidhur me dyshimet për terrorizëm. Prokurori tha se janë arrestuar dy njerëz në Bosnjë me dyshimet për ekzistimin e një lidhshmërie me Jashareviçin. Policia serbe arrestoi- për t’i liruar më vonë, 17 njerëz në tri vende në jug-perëndim të shtetit-përfshirë Novi Pazarin, vendlindjen e sulmuesit. Sulmi i së premtes ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara paralizoi Sarajevën, derisa Jashareviç u plagos nga forcat policore për t’u arrestuar më pas. Një polic u plagos gjithashtu gjatë këtij incidenti. NOA/RFE