Tiranë, 31 tetor 2011, NOA – Deklaratat e sotme të kryeministrit Berisha në mbrojtje të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, dhe ato të ambasadorit të OSBE-së Wollfarth nga Shkodra, kanë ndezur reagimin e aktivistëve të Kuvendit Civil, të cilët i bënë të qartë kryeministrit se nuk duhet të importojë asnjë plehrë në territorin shqiptar. “Dëgjuam me vëmendje sot, kryeministrin e vendit, Sali Berisha dhe ambasadorin e OSBE-së, Eugen Wollfarth. U duk sikur të dy kishin biseduar më parë për çfarë do të flisnin dhe nga do të flisnin. Njëri nga një oaz plehrash në veri të vendit ku thuhet se po ngrihet landfill, dhe tjetri, nga poltroni ku komandon deputetët e tij të dëgjueshëm”, deklaron Kuvendi Civil. Duke ironizuar pretendimin e kryeministrit se plehrat do të monitorohen në import dhe se asnjë prej mbetjeve nuk përbën rrezik, siç dhe BE ka hartuar listën, Kuvendi Civil i paraprin rrezikut, duke i bërë thirrje kryeministrit se shqiptarët nuk kërkojnë të njohin listën e mbetjeve, që do të importohen, por ata nuk duan që qeveria të importojë asnjë lloj plehre nga jashtë. “Boll kemi plehrat tona, plastik, qelq apo llamarinë qofshin. Nëse je burrë ashtu siç pretendon se je, por me veprime ke treguar se nuk je i tillë, mos e kalo atë ligj përsëri në parlament, pasi historia do ju gjykojë rëndë për veprimet që do ndërmerrni. Ju mbase keni vendosur të mos jetoni më në Shqipëri dhe kjo nuk ka rëndësi, por shqiptarët do të jetojnë, do të ushqehen dhe do të pijnë ujin e kësaj toke që ju po e helmoni me landfille e plehrat e gjithëkundit”, apelon Kuvendi Civil. Ata i bënë edhe një sugjerim ambasadorit të OSBE-së, Eugen Wollfarth. “Nëse ligji sipas tij është demokratik dhe mbron ambientin, merrini plehrat e botës dhe çojini në vendin tuaj zoti ambasador. Shqipëria nuk ka nevojë për ambasadorë që merren me asortimente ushqimoreje, por për diplomatë që transmetojnë vlera dhe që kanë çfarë të na mësojnë. Nëse ju dhimbsen plehrat e botës dhe në veçantësi të Napolit, jeni i lirë t’i merrni, por jo në Shqipëri. Do të ishte mirë të korrigjoheshit në deklaratë, sepse historia nuk ka nevojë për politikanë e diplomatë honorarësh, po për burra të vërtetë shteti”, thuhet në komunikatën e Kuvendit Civil. Ky kuvend po vijon betejën kundër importit të plehrave, duke ftuar shqiptarët t’i bashkohen protestës paqësore të 3 nëntorit, dhe të nënshkruajnë peticionin anti-plehrë. Sot “Kuvendi Civil” u ndal në qytetin verior të Shkodrës, ku qindra qytetarë shkodranë i thanë “JO” importit të plehrave. mit/NOA
Importi i plehrave, Kuvendi Civil reagon ndaj kryeministrit
-
Ruzhdi Basha21:48 - 31 Tetor 2011nuk duam plekra se boll kemitonat