English

Mazhoranca miraton kandidaturën e guvernatorit Fullani

Tiranë, 31 tetor 2011, NOA – Miratohen vetëm me votat e mazhorancës tre kandidaturat e propozuara nga kryeministri, për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është zgjedhur në krye të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës. Gjatë seancës dëgjimore të mbrëmjes, në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Fullani deklaroi se gjatë shtatë viteve në krye të Bankës së Shqipërisë, institucioni i BSH-së ka ruajtur stabilitetin e çmimeve në treg, ndërsa sistemi bankar vendas arriti të përballojë me sukses krizën ekonomike. Deputeti socialist Erion Braçe e akuzoi guvernatorin Fullani se gjatë drejtimit të BSH-së ka mbrojtur interesat e mazhorancës, duke e ndihmuar madje me para qeverinë, në kundërshtim me ligjin. Braçe e akuzoi guvernatorin se ka fshehur të dhënat për krizën ekonomike, që ka përfshirë vendin, duke mos e paralajmëruar atë. Por, siç mësohet, guvernatori Fullani i mohoi akuzat e deputetit Braçe duke thënë se janë të sajuara, dhe për më shumë ka sqaruar se ai nuk vjen nga radhët e politikës. Ndërkohë, gjatë mbledhjes janë shqyrtuar edhe dy kandidaturat e tjera të propozuara nga kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë, Elizabeta Gjoni, drejtuese e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Këshilltari i kryeministrit për ekonominë, Petraq Milo, të cilat janë miratuar si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa pritet, që pesë prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një nga vetë Këshilli Mbikëqyrës, gjatë mbledhjes së sotme edhe deputetja socialiste e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli akuzoi qeverinë se kandidaturat e propozuara për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nuk janë konsultuar më parë dhe janë përzgjedhur pa konkurrencë. mit/NOA

KOMENTE