Bushat, 31 tetor 2011, NOA – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth tha sot se, kthimi i ligjit për mbetjet urbane është një e drejtë kushtetuese e Presidentit të Republikës. Gjatë një vizite në landfillin e Shkodrës ai tha se në themel të ligjit duhet të jetë mbrojtja e mjedisit dhe e komunitetit. “Është një proces demokratik, ajo që është më rëndësi është që Shqipëria të ketë një ligj të mirë për mbrojtjen e ambientit sepse ka pasuri të mrekullueshme natyrore”, tha ambasadori, ndërsa ofroi asistencën e OSBE-së për ligjin e mbetjeve. Shefi i prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth ka ripërsëritur apelin drejtuar politikës shqiptare “Duhet dialog politik mes palëve që të arrihen reformat me ¾ e votave dhe ky dialog duhet të arrihet vetëm në parlament”, tha ai. Wollfarth u shpreh i impresionuar për Landfillin e Bushatit si një impiant për grumbullimin e mbeturinave i cili sipas tij, i plotëson gjitha standardet dhe shërben për qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Ambasadori Wollfarth do qëndrojë dy ditë në qytetin e Shkodres ku do zhvilloj takime pa pranin e mediave në Prokurorinë e Shkodrës dhe në Policinë e Qarkut. a.q/NOA