English

Thaçi dorëzon pasaportën e parë biometrike në Kosovë

Prishtinë, 31 tetor 2011, NOA – Kosova lëshoi sot pasaportat e para biometrike, një dokument ky, që sipas kryeministrit Hashim Thaçi, i barazon qytetarët e Kosovës me ata të Bashkimit Evropian, duke hedhur një hap të rëndësishëm përpara, në rrugën e liberalizimit të vizave me BE-në. Pasaportat e para biometrike i ka dorëzuar vetë kryeministri i Kosovës, në një ceremoni zyrtare, të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjatë ceremonisë, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Prishtinë, shefi i qeverisë së Kosovës deklaroi se e sotmja është një ditë e re, ditë e suksesit për Republikën e Kosovës, dita e Kosovës Evropiane. “Ashtu siç kemi premtuar, dhe premtimi ynë po realizohet, që deri në fund të tetorit, të lëshojmë pasaportat e para biometrike. Pra sot, me lëshimin e pasaportës së parë biometrike, po e përmbushim një parakusht shumë të rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin e përgjithshëm të sigurisë së dokumenteve, ashtu edhe në kontekstin e liberalizimit të vizave”, theksoi kryeministri Thaçi. Sipas Thaçit deri më tani është shënuar një progres substancial në fushën e liberalizimit të vizave, si në fushën e riatdhesimit dhe riintegrimit, edhe në regjimin e integruar të kufijve. Kryeministri i Kosovës bëri me dije se me dixhitalizimin e regjistrit civil dhe lëshimin e pasaportave biometrike, dita kur qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, do të bëhet shumë shpejt një realitet. “Është një hap i madh për Kosovën, është dokument që barazon qytetarët e Republikës së Kosovës me ata të Bashkimit Evropian. Pasaportat biometrike janë shenjë se Kosova do të plotësojë kushtet për liberalizimin e vizave me shpejtësi dhe sipas kritereve të Bashkimit Evropian”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi, nënvizoi se, lëvizja e lirë ka qenë një ëndërr e qytetarëve të Kosovës, që sot do të bëhet realitet. Qytetarët e parë të Kosovës, të cilët janë pajisur me pasaporta biometrike janë: Fatos Bajçinovci, Zymrije Grajçevci dhe Ender Alija. mit/NOA

KOMENTE