English

Thaçi me Tafaj diskutojnë për bashkëpunimin në arsim

Prishtinë, 31 tetor 2011, NOA – Lajtmotiv i takimit mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ministrit të Arsimit të Shqipërisë, Myqerem Tafaj ishin zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit dhe thellimi i këtij bashkëpunimi. Kryeministri Thaçi prezantoi arritjet e institucioneve të Kosovës, përkushtimet për përmbushjen e axhendës evropiane të integrimit, me theks të veçantë investimet e gjithanshme në arsim, të cilat, siç theksoi kryeministri janë investime substanciale në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Kryeministri Thaçi më tej theksoi se investimi në arsim vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Fokus kryesor yni do të jetë avancimi përmbajtësor i proceseve të mësimdhënies, mësimnxënies, kurrikulumit dhe procesve tjera të rëndësishme, që nga niveli parashkollor deri tek ai universitar, si dhe investimet në infrastrukturën teknike në arsim, të gjitha këto sipas standardeve dhe kritereve evropiane”, tha kryeministri Thaçi. Ai vlerësoi lart bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë në fushën e arsimit dhe theksoi se përvoja e Shqipërisë në zhvillimin e arsimit është një shembull i mirë dhe pozitiv. Gjatë takimit mes kryeministrit Thaçi dhe ministrit Tafaj u bisedua edhe lidhur me Abetaren e përbashkët, për të cilën tashmë është formuar një grup pune i përbashkët i dy ministrive të arsimit dhe synohet nga të dyja shtetet, që kjo Abetare të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor 2012/2013. Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj i vlerësoi me tone pozitive zhvillimet në arsimin kosovar dhe theksoi se vënia e arsimit ndër prioritetet kryesore nga ana e Qeverisë së Kosovës, tregon më së miri për vizionin evropian të institucioneve të Kosovës. mit/NOA

KOMENTE