Shkodër, 31 tetor 2011, NOA – Një 51-vjeçare malazeze është bërë pre e vjedhjes me dhunë, mëngjesin e sotëm, nga dy persona, të cilët i vodhën 10 mijë euro dhe çantën, që kishte me vete. Ngjarja ndodhi sot rreth orës 06.30, në fshatin Vukpalaj, të rrethit Malësi e Madhe. Shtetasja me iniciale J. M., banuese në Podgoricë të Malit të Zi, po udhëtonte në drejtim të Rinasit, me automjetin e saj tip Toyota, kur u grabit nga persona të paidentifikuar, të cilët i vodhën një shumë prej 10.000 eurosh si dhe një çantë dore me sende personale. Gjatë hetimeve, Policia e Shkodrës identifikoi dhe kapi njërin prej autorëve të ngjarjes, 20-vjeçarin Ilirjan Riza Bardhi, lindur e banues në fshatin Alijaj, Bajzë në rrethin e Malësisë së Madhe, ndërsa shpalli në kërkim dhe po punon për kapjen e bashkautorit, gjeneralitet e të cilit nuk bëhen me dije, për arsye hetimi. Blutë e Shkodrës gjetën dhe sekuestruan çantën e vjedhur bashkë me sendet personale të 51-vjeçares. Gjithashtu u gjet edhe shuma prej 5470 eurosh, të cilat i përkisnin të dëmtuarës. Bashkë me kërkimin e autorit të dytë të vjedhjes, policia po punon edhe për gjetjen e shumës së mbetur nga 10 mijë eurot, të cilat iu vodhën shtetases nga Mali i Zi mëngjesin e sotëm. mit/NOA