Tiranë, 1 nëntor 2011, NOA- Të kursejmë ujin dhe të mbrojmë burimet tona ujore ishte motoja e programit “Miqtë e Ujit”. Ky program synon prej pesë vitesh ndërgjegjësimin e fëmijëve për mbrojtjen e mjedisit dhe edukimin e tyre për të mos çuar ujin dëm.
“Uji me sytë e fëmijëve” ishte titulli i ekspozitës me mbi 100 vizatime të bëra nga fëmijët që marrin pjesë në këtë program. Pjesëmarrësit e vegjël janë nxënës në klasat e para deri në të treta, të shkollave në Tiranë, Korçë, Shkodër, Pogradec, Rrëshen, Përmet, Berat, Librazhd, etj. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin Zv. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Halit Shamata, drejtues të Shoqatës së Ujësjellës-Kanalizimeve, përfaqësues të AMC dhe fëmijët. Nga punimet e paraqitura, u përzgjodhën 12 vizatimet më të mira, me të cilat do të bëhet një kalendar dhe do të shpërndahet në shkollat e vendit.
AMC mbështet “Miqtë e ujit” në kuadër të programit të saj AMC Green, si një projekt që ndërthur në mënyrë ndëraktive mësimet me aktivitetet dhe lojërat, në mënyrë që t’i bëjë fëmijët të përgjegjshëm për rëndësinë e ujit.
a.y/NOA
Në foto: Femijë gjatë ekspozitës “Uji me sytë e fëmijëve”