Madrid, 1 Nëntori 2011 - Ekonomia spanjolle ka rënë në stanjacion. Siç bëri të ditur Banka Qendrore në Madrit, rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me tremujorin e mëparshëm ishte 0 për qind.
Banka Qendrore paralajmëroi se në luftë kundër krizës së borxheve, Spanja nuk mund t`i përmbahet detyrimeve kundrejt BE-së.
Të ardhurat nga taksat kanë mbetur të ulta, dhe qeveria spanjolle nuk ka bërë sa duhet kursime të shpenzimeve, tha Banka Qendrore e cituar nga radio DW.
Prandaj ekziston rreziku, që Spanja të mos e plotësojë premtimin për reduktimin e borxheve të reja me 6,0 përqind sivjet.
Stanjacioni i ekonomisë spanjolle, është shkaktuar sipas bankës, nga rënia e kërkesës brenda vendit, rënia e industrisë së ndërtimit dhe nga rënia e madhe e shpenzimeve shtetërore.
Sakaq, vendet e industrializuara dhe ato në ekspansion ekonomik, G-20, duan të bien dakord në takimin e 29-të që zhvillohet së shpejti, t'i detyrojnë bankat e mëdha që ushtrojnë aktivitete globale, të forcojnë kapitalin e tyre bazë.
Në këtë mënyrë synohet të arrihet që nëse këto institute financiare bien në vështirësi, të mos kërkohet veprimi i taksapaguesit për të ndihmuar në shpëtimin e tyre, bënë të ditur agjencitë evropiane të lajmeve, duke iu referuar qarqeve qeveritare gjermane.
Takimi i G-20 zhvillohet ditën e enjte dhe të premte në Kanë të Francës jugore. Në kuadër të samitit, kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet me presidentin amerikan, Barack Obama.