English

Kapen 127 kg drogë në Sarandë, një në pranga

Sarandë, 1 nëntor 2011, NOA – Në aksin rrugor GjirokastërSarandë, uniformat blu kanë sekuestruar 127 kg Canabis në një automjet Audi, që ishte larguar me shpejtësi përdrejt Sarandës, posa kishte hasur postbllokun e policisë. Droga u kap në orët e para të mëngjesit të datës 31.10.2011, në vendin e quajtur “Fusha e Vrionit”. Ajo po transportohej në automjetin e markës Audi me ngjyrë gri me targa TR 2375 I, me vit prodhimi 2001. Drejtuesi i makinës, 26-vjeçari Sajmir Mehmet Gurguri, lindur në Fier dhe banues në Hamil të rrethit Fier, është larguar me shpejtësi në drejtim të qytetit të Sarandës sapo i është bërë shenjë për të ndaluar. Nga ndjekja e menjëhershme, pak minuta më vonë, personat, që ndodheshin brenda makinës së tij, kanë braktisur mjetin në afërsi të nënstacionit elektrik në hyrje të qytetit të Sarandës, dhe kanë mundur të largohen. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 127 kg lëndë narkotike e dyshuar si Canabis sativa, e mbështjellë me letër natriban ngjyrë kafe, dhe e futur brenda 4 çantave të mëdha të zeza. Gjithashtu brenda në këtë automjet u gjet edhe një armë zjarri tip automatik kallashnikov me një krehër me 28 fishekë, një tabelë e ngjashme me atë të punonjësve të policisë, një fenelinë policie, si dhe një palë targa BR 903 DB, të cilat sipas dokumentacionit të mjetit ishin targat origjinale, ndërsa ato TR 2375 I, të fallsifikuara. Policia është vënë në ndjekje të trafikantëve duke mundur të prangosë në qytetin e Fierit pronarin e makinës ku u gjet droga, Sajmir Gurgurin. Ndërkohë policia po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër, që ndodhej në automjet. Lënda narkotike dyshohet se vinte nga Gjirokastra dhe se ishte e destinuar për t’u shitur. mit/NOA

KOMENTE