Tiranë, 1 Nëntor 2011 NOA/ Arlinda Koçi – A do të merakoseni se çfarë do të ndodhë me identitetin tuaj online, pasi të ndërroni jetë? Çfarë do të bëhet me profilin e Facebookut tuaj, llogarinë tuaj e-mail, fotot dhe muzika që ju keni ruajtur në të?
Rrjetet sociale, sidomos Facebook janë bërë një mjet gjithmonë e më i përdorur në jetën aktuale, por deri tani nuk është dëgjuar ndonjëherë, që një i ndjerë të lërë pikërisht fjalëkalimin e profilit të tij, në amanet.
Këtë ngjarje të rrallë e ka raportuar e përditshmja britanike “The Telegraph”.
Një studim i realizuar nga Universiteti i Londrës, Goldsmith, tregoi se një në dhjetë anglezë e kanë menduar këtë veprim, për të vendosur pikërisht në listën e amaneteve të tyre, fjalëkalimin e Facebook-ut.
Në këtë mënyrë, ata vendosin t’i lënë trashëgimi pasardhësve të tyre të gjithë muzikën ose filmat e shkarkuar nga interneti, material që mund të kushtojë shumë stërlina (paund britanikë), raporton agjencia e lajmeve NOA.
Një numër në rritje njerëzish duan që identiteti i tyre virtual të vazhdojë të përdoret edhe pas vdekjes së tyre.
Ata duan që familjes t’i bien në dorë fotografitë dhe video personale që janë publikuar në internet.
Por, legjislacioni duhet të lehtësojë sa më shpejt këto marrëdhënie.
Bashkimi Evropian është duke punuar në krijimin e një “të drejtë për t'u harruar në internet.”
a.k/NOA