English

Mediat vuajnë nga varësia financiare dhe politike

Gazetarë vendas dhe ekspertë diskutojnë për gjendjen e palakmueshme të mediave në Maqedoni. Pavarësia financiare dhe politike e mediave është parë si nevojë imediate për lirinë dhe profesionalizmin e mediave në Maqedoni

Situata me mediat në Maqedoni nuk është e lakmuar, në punën e tyre ka ndikim të madhe politik dhe presione të natyrave të ndryshme nga grupet e biznesit. Kjo ndodh si në mediat elektronike ashtu edhe në ato të shkruara. Kjo nuk është e mirë për një demokraci të re siç është Maqedonia, vlerëson Rob Frejsen ekspert për media nga Holanda.

“Në një shoqëri të re demokratike është shumë me rëndësi të funksionojë gazetaria e pavarur, sepse gazetarët duhet t`i ofrojnë opinionit informata objektive që janë të një rëndësie të veçantë për funksionimin e një shoqërie demokratike”, thotë Rob Frejsen.

Është më se e qartë se tregu medial në Maqedoni po përballet me probleme serioze, me një treg konfuz, të parregulluar, të disperzuar që reflektohet shumë në lirinë dhe pavarësinë e gazetarëve, thotë për radion DW, seksioni shqip, Biljana Petkovska drejtoreshë e Institutit Maqedonas për Media.

“Në kontinuitet po e animojmë gjendjen e vështirë në media dhe tentojmë të vendosim një dialog midis gazetarëve, pronarëve të mediave dhe grupeve të biznesit që ndikojnë në strukturën financiare të mediave për të gjetur një rrugë të përbashkët që mediat të punojnë të pavarura nga ndikimet politike dhe financiare”, vlerëson Biljana Petkovska.

Editori i të përditshmes “Koha”, Lirim Dullovi thotë se problemi më serioz me të cilin ballafaqohen mediat ka të bëjë me ndarjen jotransparente të mjeteve financiare nga fushatat reklamuese të qeverisë, që u dedikohen mediave. Kriter i vetëm për të fituar mjete financiare nga pushteti është servilizmi apo afërsia me partitë në pushtet. Nëse në Maqedoni nuk precizohen kriteret e qarta për shpenzimin e mjeteve nga institucionet shtetërore, në vazhdimësi do të ketë ndikim të politikës në punën e mediave.

“Gjithkund në botë reklamat shkojnë në mediumet të cilat kanë shikueshmëri, lexueshmëri, publikë më të madh, ka edhe kritere tjera - në besueshmëri, dmth këto janë kriteret gjithkund në botë që vlejnë dhe duhet të vlejnë edhe tek ne. Nëse kjo rregullohet, unë besoj se 90% e të gjitha problemeve do të zgjidhen”, shprehet Lirim Dullovi.

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë ka filluar bisedimet me qeverinë ku do të identifikohen problemet. Konkretisht janë definuar katër çështje, të cilat kanë sjellë këtë situatë në të cilën gjenden mediat në Maqedoni, me çka është kufizuar liria e tyre.

“Problemet më të mëdha të mediave në Maqedoni i shkakton çështja e mosrespektimit të ligjeve dhe respektimit selektiv. Nëse kjo nuk sigurohet gjatë bisedimeve, ne nuk do t`i vazhdojmë bisedimet për çështjet e tjera”, thotë Naser Selmani kryetar i Shoqatës së gazetarëve në Maqedoni. Në tavolinën e bisedimeve midis shoqatës dhe qeverisë do të diskutohet edhe për rregullimin ligjor të distribuimit të mjeteve buxhetore për fushata reklamuese, për dekriminalizimin e fyerjes dhe ofendimit si dhe reformimin e shërbimit publik.

KOMENTE