English

Mitrovicë, pas kundërshtive nis asfaltimi i rrugës në Kroin e Vitakut

Mitrovicë, 1 nëntor 2011, NOA- Ditën e sotme ka nisur asfaltimi i rrugës në Kroin e Vitakut në veri të Mitrovicës, lagje në të cilën para dy vitesh ishte kundërshtuar me forcë rindërtimi dhe kthimi i banorëve shqiptarë nga grupet serbe.

Tashmë aty situata është qetësuar pasi vihet re se afër njeri-tjetrit jetojnë shqiptarë e serbë pa pasur probleme mes tyre.

Këtë e ka spikatur edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili të martën i shoqëruar nga drejtori i Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, Rasim Veseli si dhe drejtori i Inspektimit, Lulzim Zeqiri, ka vizituar këtë lagje.

Kastrati, tha se kjo lagje është shembulli më i mirë për të ardhmen e Kosovës. “Këtu para dy vitesh kishte shumë probleme, meqë grupet serbe kundërshtonin procesin e rindërtimit të shtëpive si dhe kthimin e banorëve shqiptarë. Tash shohim se jetojnë në fqinjësi pa telashe”.

Ai theksoi se kjo është inkurajuese edhe për banorët, por edhe për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për të rritur investimet në veri, duke shtuar se jeta në këtë lagje dëshmon se banorët e rëndomtë janë të interesuar për normalitet, për dallim nga strukturat paralele serbe që tentojnë të mbajnë situatën të tensionuar.

Lidhur me asfaltimin e rrugës, drejtori për Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, Rasim Veseli, tha se ky projekt është financuar nga qeveria dhe komuna. “Projekti i rrugës në përgjithësi ka kushtuar 228 mijë euro, prej të cilave 100 mijë i ka siguruar komuna, ndërsa pjesën tjetër qeveria”.

Ai sqaroi se rruga është e gjatë 1.5 kilometra dhe se përveë pjesës kryesore do të asfaltohen edhe rrugët dytësore në Kroin e Vitakut dhe se procesi i rindërtimit në lagje po ecën mirë dhe pa probleme.

Veseli sqaroi se në këtë lagje janë duke u rindërtuar rreth 40 shtëpi, ndërsa në gjithë veriun e qytetit deri me tani janë në proces të rindërtimit më shumë se 100 shtëpi.

a.y/NOA

KOMENTE