English

Mustafa: FSK nuk duhet lidhur me politikën

Prishtinë, 1 nëntor 2011, NOA- Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa priti sot në takim komandantin e Forcës se Sigurisë së Kosovës, Gjeneral lejtnant Sulejman Selimi.

Gjatë takimit u diskutua për ngritjen dhe zhvillimin e Forcës se Sigurisë së Kosovës, si një forcë e cila në ardhmen e afërt do të jetë në gjendje që mbi supet e saj dhe të marrë përsipër sigurinë e vendit dhe misionet e ndryshme jashtë vendit.

“Në këtë drejtim keni kontribuar shumë pozitivisht dhe keni mbajtur një stabilitet brenda trupës. Kemi pasur raporte shumë të mirë ndër-institucionale”, tha Mustafa duke shtuar se FSK asnjëherë nuk duhet lidhur me politikën.

Nga ana e tij Selimi e informoi kryetarin Mustafa më gjendjen e tanishme të trupave të FSK-së, përgatitjen dhe gatishmërinë e tyre. Ai tha se FSK është aset i shtetit të Kosovës dhe është në rrugë të mirë të forcimit dhe pajiset më të gjitha elementet që duhet ti ketë një force e sigurisë.

Gjeneral lejtnant Selimi tha se FSK aktualisht ka 2250 pjesëtarë, 800 pjesëtarë rezervë, 180 pjesëtarë të komuniteteve dhe 144 pjesëtare femra.

Komandanti i FSK-së tha se kjo trupë ka një bashkëpunim të mirë me paktin e NATO-së, e sidomos tha se ka një bashkëpunim me ushtritë e vendeve të rajonit, sidomos me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

a.y/NOA

Në foto: Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa me komandantin e Forcës se Sigurisë së Kosovës, Gjeneral lejtnant Sulejman Selimi

KOMENTE