English

Palestina shënon fitoren e parë

Paris, 1 nëntor 2011, NOA – Në pritje të anëtarësimit të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Palestina korri një fitore të parë në fundin e këtij tetori, duke u zgjedhur anëtare e UNESCO-s. Zgjedhjen e Palestinës si anëtare mes 195 vendeve, që ngërthejnë agjencinë e UNESCO-s e mbështeti edhe Franca, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kundërshtim me këtë zgjedhje, paralajmëruan ndërprerjen e 60 milion dollarëve financime, që do t’i jepeshin organizatës, pasi sipas tyre kjo shkon ndesh me legjislacionin amerikan. Rezoluta pro Palestinës në UNESCO u votua në Paris në Konferencën e Përgjithshme të Agjencisë me 107 vota pro, 52 abstenime dhe 14 vota kundër. Tashmë Palestinës i mbetet vetëm një akt formal, pikërisht që të nënshkruajë aktin konstitutiv të UNESCO-s në Londër për të ligjëruar tërësisht hyrjen në këtë agjenci të OKB-së. “Është me të vërtetë një moment historik, që i rikthen Palestinës disa nga të drejtat e saj”, deklaroi pas kësaj fitoreje ministri i Punëve të Jashtme të Autoritetit Palestinez, Riyad al-Maliki. “Palestina është djepi i feve dhe i qytetërimeve”, tha Al Maliki, pasi siguroi se palestinezët kanë nevojë për mbështetjen e UNESCO-s në mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të rajonit. Sipas tij, kjo pikë ishte jasht përçapjes më të fundit diplomatike të Palestinës për t’u njohur si shtet anëtar i OKB-së. Kjo gjë, tha ai duhet të shqyrtohet nisur nga mbledhja e 11 nëntorit. Mes vendeve, që kundërshtuan pranimin e Palestinës në UNESCO, ishin SHBA-të, Gjermania dhe Izraeli, i cili e cilësoi vendimin si një tragjedi. Ndërkohë, në favor të Palestinës votuan Franca, Belgjika, Austria, Spanja dhe Rusia, duke bërë, që BE të ndahej në pro dhe kundër në momentin e votimit të anëtares së re të agjencisë, ndërsa Italia abstenoi. mit/NOA

KOMENTE