English

Parashikimi i motit për 2 nëntor 2011

Tiranë, 1 nëntor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe nesër, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike pasi kthjellimet do të dominojnë në vend, me përjashtim të zonave malore veriore dhe juglindore ku do të ketë kalime vranësirash në mesditë.

Gjatë pjesës së dytë të ditës parashikohet që vendi ynë të ketë të njëjtën situatë meteorologjike. Me vranësira të lehta në zonat malore verilindore dhe juglindore dhe kthjellime në bregdet dhe ultësirën perëndimore. Ky stabilitet i atmosferës do të mbetet edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në të dy vlerat ekstremale.

Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 27 km/h dhe drejtim perëndimor duke bërë që në Adriatik dhe në Jon dallgëzimi të mbetet i ulët.

Europa

Nesër, Europa Veriore dhe Verilindore do të mbetet me kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat dhe reshjet e shiut dhe të dëborës do të dominojnë këto rajone. Problematike situata paraqitet sidomos gjatë pjesës së dytë të ditës në Ishujt Britanik dhe në Europën Jugore konkretisht Spanje dhe Portugali ku shirat do të bien në formë rrebeshi të shoqëruara me stuhi të forta ere duke bërë që dallgëzimi në det të jetë i lartë. Ndërsa Rajoni i Mesdheut, Europa Qendrore dhe ajo Juglindore do të karakterizohen nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Ishujt Britanike rrezikojnë shira intensive dhe stuhi të forta ere

- Spanja do të ketë reshje shiu dhe dallgë të larta

- Vendet Nordike do të rrezikohen nga reshje shiu e dëbore

a.y/NOA

KOMENTE