English

Të rinjtë shqiptarë, punësim dhe studime të thelluara në Itali

Komunikohet marrëveshja mes EUFT dhe Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale të Italisë për punësim të studentëve në rajone të ndryshme italiane. Ofrohet akomodim, pagë mujore dhe studime të thelluara nga profesorë të 7 universiteteve shtetërore të Italisë

Tiranë, 1 Nëntor 2011 NOA - Dhjetëra të rinj e të reja nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, futen në programin e punësimit në sajë të një marrëveshjeje të arritur mes Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale të Italisë dhe Universitetit Europian për Turizmin (EUFT). Kjo marrëveshje u arrit mes ministrit Dr. Maurizio Sacconi dhe rektorit të EUFT, prof. Dr. Salvatore Messina.

Për të komunikuar këtë ngjarje të rëndësishme për jetën sociale në vend, sot paradite në godinën e EUFT, bë shpallja e marrëveshjes me Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale të Italisë me EUFT, ku njëherazi u zhvillua dhe ceremonia e nisjes së vitit akademik.

Në ceremoni morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Klodian Pajuni, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, drejtori i Parkut Kombëtar të Apolonisë, Marin Haxhimihali dhe të ftuar të tjerë.

Nisur nga fakti se sivjet përfunduan studimet studentët e parë, rektori i EUFT, prof. Dr. Salvatore Messina tha në fjalën e tij, se në sajë të formimit të studentëve në këtë institucion, sot Shqipëria ka profesionistët e saj në fushën e turizmit.

"Turizmi në Shqipëri, më në fund po shihet si një degë që kërkon vëmendje dhe njerëz të arsimuar. Të gjithë e kuptojnë se tashmë nuk mund të bëhen eksperimente, duke parë diçka jashtë vendit dhe duke e kopjuar. Është koha që burimet, energjitë, pasuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore të trajtohen nga ekspertë që bëjnë strategji për zhvillimin e vendit. Ne ja kemi arritur kësaj duke nxjerrë një brez të aftë profesionistësh", tha dr. Mesina.

Ai u ndal dhe në risitë që sjell EUFT në programin akademik. "Veç anës teorike, ne kemi projekte konkrete për anën praktike. Në fund të muajit nëntor, të gjithë studentët, për dy muaj do të bëhen pjesë e programit të punësimit dhe studimeve të thelluara në Itali. Ata do të punojnë atje dhe do të shohin nga afër sesi funksionojnë sipërmarrjet e mëdha turistike. Studentët do të akomodohen dhe ushqehen falas, ndërsa për punën që do të bëjnë do të marrin 1200 euro në bizneset turistike përkatëse. Ndërkohë do t’u nënshtrohet studimeve të thelluara që do të ofrohen nga profesorë të disa universiteteve shtetërore italiane, si ai i Romës, Firences, Barit, Milanos, Napolit, etj. Kjo është mënyra sesi ne punojmë dhe kërkojmë që studentët të jenë të aftë si në aspektin teorik dhe atë praktik", tha dr. Mesina.

Një element i rëndësishëm i vitit të ri akademik është dhe njohja e diplomave të EUFT në Itali dhe në gjithë Europën. "Jemi i vetmi universitet në vend që kemi marrëveshje për hapjen e filialeve të EUFT në tetë qytete të Italisë për programin Bachelor. Po ashtu, pjesë e projektit është dhe çelja e filialeve të EUFT në gjashtë qytete të Italisë për programin Master. Ne kemi arritur të njehsojmë diplomat e lëshuara nga EUFT Shqipëri nga Universiteti i Napolit, duke bërë që për herë të parë, diplomat shqiptare të njihen automatikisht në të gjithë Evropën", tha dr. Mesina. Ai shtoi se së fundi, ky universitet ka arritur të ketë marrëveshje për trajnimin e specialistëve në fushën e turizmit, në Kinë dhe në Brazil.

Ndërsa Dekani i Fakultetit të Ekonomi-Turizmit në EUFT, prof. Dr. Perikli Qiriazi foli më konkretisht për punën që ky universitet bënë në evidentimin e pasurive natyrore dhe kulturore në vend. Ai u ndal ndër të tjera tek projektet laboratorike në terren kur tha se projekti për Parkun e Divjakës është ndër më ambiciozët, duke synuar t'i sjellë një shërbim direkt vendit dhe komunitetit të zonës. "Parkun e Divjakës synojmë ta kthejmë në një park të standardeve ndërkombëtarë. Laboratori i EUFT, do të bëjë studime të hollësishme me synimin, krijimin e modeleve evropiane. Nuk mund të lihet turizmi në dorën e rastësisë, universiteti ynë i ka kapacitetet dhe aftësitë për të strategji që do e bëjnë këtë zonë jo vetëm tërheqëse, por edhe një zonë ku mund të investohet në mënyrë afatgjatë për turizmit", tha dr. Qiriazi.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Klodian Pajuni, gjatë fjalës së tij u ndal në hapat galopantë që ka bërë ky universitet gjatë viteve që ka nisur aktivitetin e tij. "Kur Profesor Mesina na tha idetë e tij kemi qenë ndoshta dhe pak skeptikë para tre vitesh. Sot e kuptojmë se kemi gabuar. EUFT tashmë është një universitet që jo vetëm nga emri, por edhe nga puna, studimet dhe niveli i profesionistëve që nxjerr, është me standarde evropiane. Ne si Ministri e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe si Drejtori e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, konsultohemi shpesh me ekspertët e këtij universiteti, duke qenë se ai ka ekspertizën më të mirë për turizmin. Më vjen mirë që edhe universitete të tjera, siç është ai publik, e shohin EUFT dhe laboratorët e saj si ekspertizën më të mirë për të nxjerrë studentë dhe profesionistë të aftë", tha Pajuni.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, foli jo vetëm në cilësinë e një bashkëpunëtori me universitetin, por edhe si një ish-student i dalë nga ky institucion, duke u ndalur bë bashkëpunimin turistik në dobi të qytetit që drejton në këtë mandat të dytë. "Në sajë të bashkëpunimit me këtë universitet, ne kemi arritur të evidentojmë vlerat turistike dhe kulturore të Lezhës. Problemet e turizmit nuk janë të thjeshta, në botë udhëtojnë për turizëm çdo vit rreth 600 milionë persona. Ndaj pyetja shtrohet: Si do ta tërheqim një pjesë të tyre në Shqipëri? Pa strategji dhe pa laboratorë, siç janë dhe projektet e EUFT ne nuk mund të kemi objektiva të qarta", tha kryebashkiaku Tushaj.

e.t/NOA

KOMENTE