Prizren, 1 nëntor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi përuroi dy rrugë të reja në qytetin e Prizrenit.
I shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, dhe kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryeministri preu shiritin fillimisht në rrugën “Tahir Sinani” në dalje të Prizrenit në drejtim të Vërmicës, e më pas edhe në rrugën që lidh Prizrenin me fshatin Hoqë e Qytetit.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi tha se Prizreni po merr pamjen e një qyteti shumë modern, që po bëhet shembull edhe për qytetet tjera të Kosovës.
“Qyteti i Prizrenit po ndryshon për mirë, po ndryshon për të mirë jeta e qytetarëve të Prizrenit. Do të rritet mirëqenia sociale si dhe do të krijohen vende të reja të punës” tha kryeministri.
Ky qytet, theksoi kryeministri Thaçi, e ka fatin që e ka afër autostradën, 38 kilometrat e para të së cilës pritet të përurohen pas dhjetë ditëve.
Përveç këtyre, kryeministri Thaçi bëri të ditur se për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza për qytetin e Prizrenit do të ndahen mbi 22 milionë euro, dhe se Prizreni do të jetë qyteti i parë me një projekt të tillë.
a.y/NOA