English

Vetëvendosje: Buxheti i përfitimeve personale

Prishtinë, 1 nëntor 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet zërave të Dardan Sejdiut dhe Shpend Ahmetaj u shprehën mbi projektbuxhetin e Qeverisë për vitin 2012, se ky buxhet është i përfitimeve personale.

Në fjalën e tij Sejdiu tha, “Buxheti i dorëzuar për vitin 2012 tani më e rikonfirmon atë që dihet që sa kohë, që kjo Qeveri nuk është Qeveri që mendon dhe ka dije të zhvillojë ekonominë e Kosovës, dhe për më shumë instrumentin më të rëndësishëm për zhvillimin e Republikës e përpilon për përfitime personale dhe politike e jo me motive zhvillimore. Kjo qeveri është aq e dobët, sa që buxhetin e vitit 2012 është në kundërshtim me të famshmin “planin Bansko”. Pra vetëm në vitin 2011 kjo qeveri ka ndryshuar së paku tri herë diskursin e saj për ekonominë e Kosovës. Pra, lajmi i vetëm i mirë me këtë buxhet është që më në fund “plani Bansko” bie në ujë".

Sipas tij, ajo që shihet qartazi në këtë buxhet është që asnjë vijë buxhetore nuk është në frymën e zhvillimit ekonomik, por është në funksion të përfitimeve politike.

Sejdiu theksoi se Qeveria edhe në këtë buxhet e bënë të qartë që nuk është e orientuar nga zhvillimi i ekonomisë së Kosovës por synon të financojë rritjen e buxhetit me të hyra doganore, që në të vërtetë tregon orientim dhe qasje të gabuar.

Ndërsa Shpend Ahmeti tha se, Kryeministri Thaçi ka thënë se në vitin 2012 do të fillojë autostrada Prishtinë- Shkup, por kjo nuk figuron në buxhetin e Kosovës dhe është mirë që nuk figuron, mirëpo tregon për jo sinqeritetin e kësaj Qeverie se atë e ka planifikuar tek në vitin 2014.

“Kryeministrit Thaçi se edhe nga Plani i Banskos se bujqësia do të jetë 3% e buxhetit, që në fakt nuk është. Sipas këtij plani, 3% i bie më shumë se 45 milion euro, e që Ministria e Bujqësisë nuk do t’i ketë as sivjet e as viteve tjera. Gjëja më brengosëse është se po ta shikoni mënyrën e financimit të këtij buxheti, i kemi 92 milion euro nga FMN që nuk do të vijnë, i kemi 74 milion euro të financimit apo të borxhit të brendshëm që Qeveria do t’i merr nga pensionet, nga trusti pensional. Këto para do të merren nga pensionet për ta financuar autostradën dhe e treta prapë është privatizimi i PTK-së. Të gjitha këto bëjnë 430 milion euro, ndërsa bilanci në fund të vitit është 407 milion euro, që do të thotë që nëse nuk ndodhin këto gjëra, Qeveria ka parashikuar që në fund të vitit tjetër ne të jemi në minus, gjë që rrezikon edhe bankrotimin e shtetit të Kosovës nëse nuk ndodhin këto gjëra”, u shpreh Ahmetaj.

a.y/NOA

KOMENTE