Prishtinë, 1 nëntor 2011, NOA – Në shtator të vitit të ardhshëm, në krye të vitit shkollor 2012 - 2013, Shqipëria dhe Kosova do të kenë një abetare të unifikuar për nxënësit e klasës së parë. Grupet e punës për përpilimin e abetares së përbashkët janë duke punuar me intensitet për të arritur synimin. Premtimi u dha gjatë takimit të mbrëmshëm të Ministrit të Arsimit të Kosovës, Ramë Buja dhe atij të Shqipërisë, Myqerem Tafaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë. Të dy ministrat ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit si dhe sa i përket krijimit të programeve dhe planit arsimor bazuar mbi standardet evropiane, si në arsimin fillor edhe në atë të mesëm. Sa i përket arsimit të Lartë, Ministrat Buja dhe Tafaj ishin të njëmendtë se duhet të ketë shkëmbim të studentëve dhe pedagogëve mes universiteteve të Kosovës dhe Shqipërisë. Dy krerët e arsimit theksuan se duhet të intensifikohet bashkëpunimi edhe në fushën e hulumtimit dhe shkencës në mënyrë, që dy vendet shqiptare në rajon, të aplikojnë me projekte të përbashkëta në Bashkimin Evropian. mit/NOA