English

Berisha pret kreun e ATA-s

Tiranë, 2 nëntor 2011, NOA - Kryeministri Berisha priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), Troel Froling. Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin me shoqatën e Traktatit të Atlantikut gjatë gjithë kësaj periudhe dhe kontributin e rëndësishëm të saj në mbështetjen dhe promovimin e vlerave, për të cilat është krijuar dhe mbron NATO.

Froling e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohte dhe miqësore dhe në mënyrë të veçantë shprehu mirënjohjen më të thellë te tij dhe të Shoqatës të Traktatit të Atlantikut, si dhe të gjitha shoqatave atlantike në vendet anëtare të NATO-s dhe ato aspirante, për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dëshmuar Shoqatës së Atlantikut të Veriut, dëshmi e qartë e së cilës është edhe mbajtja për herë të parë në Shqipëri e sesionit të 57-të, të Asamblesë së Përgjithshme të ATA.

Më tej, në takim u diskutua edhe mbi zhvillimet e fundit për sa i përket reformës së rëndësishme që NATO, Aleanca më e suksesshme politike ushtarake e kohërave, po realizon për shndërrimin dhe transformimin e saj, për t’iu përgjigjur me efikasitetin që sfidat e shekullit të ri kërkojnë. Froling vlerësoi edhe shndërrimin e rëndësishëm që ka pësuar Shqipëria gjatë këtyre viteve që bëri të mundur anëtarësimin e saj në NATO , duke e kthyer Shqipërinë në një shembull të rëndësishëm për shumë vende të tjera që po punojnë për realizmin e ëndrrës euroatlantike.

a.q/NOA

KOMENTE