English

Ironizoi Islamin, shkatërrohet me bombë revista satirike franceze

Paris, 2 nëntor 2011, NOA /Irma Toptani – Ironizimi me figurën e profetit Muhamed, ka bërë, që selia në Paris e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, të shkatërrohej tërësisht nga një zjarr i shpërthyer mesnatën e shkuar, për shkak të hedhjes së një bombe molotov.

Atentati me bombë ndodhi pak orë para se të publikohej numri i sotëm i revistës, e cila i kushtohej Pranverës arabe.

E pagëzuar me këtë rast “Sharia Hebdo”, edicioni special i revistës publikonte në kopertinë, foton e profetit islam Muhamed, i cili premtonte “100 të rrahura nëse nuk vdes nga të qeshurat”.

Kjo ka provokuar indinjatën e besimtarëve fanatikë islamë, të cilët ndërmorën sulmin me bombë.

Policia franceze bën me dije se situata është nën kontroll, dhe se zjarri nuk ka shkaktuar asnjë viktimë.

Bomba molotov është hedhur nga dritarja dhe ka përfshirë në flakë të gjithë kompjuterat e redaksisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Drejtori i revistës, i njohur me nofkën Charb, është i sigurtë se atentati lidhet me publikimin e këtij numri të posaçëm.

“Kishim marrë mesazhe kërcënuese, përmes Facebook dhe Twitter”, shpjegoi ai.

Revista “Charlie Hebdo” do të dilte sot me një numër festiv sa i përket fitores së partisë islamike në zgjedhjet në Tunizi, si dhe me vendimin e qeverisë së re libiane për të adoptuar Sharian, por edhe me profetin Muhamed si të ftuar special të saj.

Drejtori i revistës, Charb mohoi akuzat se ai kishte dashur, që me këtë satirë, të provokonte ndjenjat e besimtarëve muslimanë.

“Ne bëjmë punën tonë si gjithnjë, i vetmi ndryshim, ishte se këtë herë kishim në kopertinë profetin Muhamed, dhe kjo ndodh tejet rrallë’, tha ai.

mit/NOA

KOMENTE