Tiranë, 2 nëntor 2011, NOA- Këshilli Kombëtar i Punës diskutoi sot kontratën e re të CEZ me konsumatorin dhe ndikimin e koncesioneve në hapjen e vendeve të reja të punës, politikat e Qeverisë për punësimin dhe për eliminimin e varfërisë dhe funksioni i dialogut social në arsim.
Ministri i Punës, Spiro Ksera, në funksionin e tij të Kryetarit të KKP, në fillim të mbledhjes falenderoi përfaqësuesit e punëdhënësve dhe punëmarrësve për kontributin që kanë dhënë në funksionimin e dialogut social në vend, dialog që vitin e fundit ka qenë më intensiv dhe më institucional.
“Raport-Progresi më i fundit i BE për Shqipërinë e evidentonte dialogun social si një nga fushat në të cilën janë bërë përparime të ndjeshme, jo vetëm për sa i përket përmirësimit të legjislacionit, por edhe frymës së bashkëpunimit që ekziston tashmë mes partnerëve socialë: Qeverisë, përfaqësuesve të punëdhënësve dhe atyre të punëmarrësve”, u shpreh Ksera, i cili vuri në dukje se Këshilli Kombëtar i Punës, do të mblidhet jo vetëm katër herë në vit sa është edhe detyrimi ligjor, por sa herë që do ta kërkojnë partnerët për të diskutuar dhe konsultuar çështje dhe probleme që i shqetësojnë ata.
Me hyrjen në fuqi të kontratës së re në 1 janar, kontrolli i sistemit të matjes të klientit do të realizohet nga një ent i pavarur i licensuar nga DPM dhe jo më nga vetë CEZ.
Zv.Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Eno Bozdo, informoi Këshillin për ndikimin e koncesioneve në hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas zv.ministrit Bozdo, dhënia me koncesione e shumë prej degëve të industrisë në vend ka rritur dhe do të rrisë ndjeshëm numrin e të punësuarve, duke ndikuar kështu edhe në uljen e efektit që kanë pasur dhe kanë privatizimet në sektorë të rëndësishëm.
a.y/NOA