Tiranë, 2 nëntor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe nesër territori shqiptar do të karakterizohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike ku moti i kthjellët do të dominojë në pjesën më të madhe të tij, me përjashtim të vranësirave të lehta në zonat malore veriore dhe juglindore gjatë mesditës.
Në pjesën e dytë të ditës parashikohet që të ketë kalime vranësirash të lehta në zonën bregdetare dhe në zonat malore lindore ndërsa ultësira perëndimore do të mbetet nën rrezatimin e diellit. Të njëjtat kushte meteorologjike do të na shoqërojnë gjatë natës deri në mëngjesin pasardhës.
Për sa i përket situatës termike, temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime të ndjeshme si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 25 km/h dhe drejtim kryesisht perëndimor duke bërë që deti Adriatik dhe Jon të mbetet i qetë.
Europa
Nesër, Europa Jugperëndimore dhe verilindore do të dominohen nga vranësira dhe reshje shiu. Në Rusi do të ketë dëborë të dendur e cila do të sjellë probleme në qarkullimin rrugor. Problematike situata parashikohet në Ishujt Britanik ku shirat do të bien në formë rrebeshi të shoqëruara me stuhi të forta ere duke bërë që edhe dallgëzimi në det të jetë i lartë. Portugalia dhe Spanja do të mbeten nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike edhe gjatë kësaj dite pasi shira me intensitet të lartë dhe stuhitë e forta të erës do të shoqërojnë këto rajone. Gjatë pasdites vranësirat do të shtrihen edhe në një pjesë të Europës Qendrore konkretisht në Francë ku do të gjenerojnë shira por me intensitet më të ulët. Pjesa tjetër e kontinentit europian do të mbetet në kushte të favorshme atmosferike ku kthjellimet do të dominojnë këto rajone.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ishujt Britanike rrezikojnë shira intensiv dhe stuhi të forta ere
- Spanja do të ketë reshje shiu dhe dallgë të larta
- Rusia do të rrezikohet nga dëborë e dendur.
a.y/NOA