Athinë, 3 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - Greqia po përjeton orë dramatike pas deklaratës së kryeministrit Jorgos Papandreu për zhvillimin e një referendumi mbarëpopullor, që ka të bëje me votimin ose jo të marrëveshjes së 27 tetorit në Bruksel.
Takimi i djeshëm në Kanë dhe ultimatumi i dy liderëve të eurozonës, Merkel e Sarkozy për zbatimin e planit të shpëtimit ka ngjallur reagime të shumta në skenën politike greke, ndërsa pozitat e kryeministrit Jorgo Papandreu po lëkunden tashmë edhe brenda radhëve të partisë së tij.
Grupi parlamentar, që pritet të mblidhet me urgjencë rreth mesditës, pritet të debatojë mbi qëndrimin e mbajtur nga kancelaria gjermane Angela Merkel e presidenti francez Nikolas Sarkozy për mbajtjen e një referendumi, që do të ketë në thelb pyetjen nëse grekët duan të qëndrojnë ose jo në eurozonë dhe jo pyetjen e kërkuar nga Papandreu, nëse janë ose jo dakord me planin e shpëtimit të firmosur në 27 tetor në Bruksel nga 17 liderë të eurozonës.
Deri më tani, tre deputetë të PASOK-ut kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër referendumit, ndërsa kanë deklaruar se nuk do të votëbesojnë qeverinë e kryeministrit socialist.
Eva Kaili, deputete e PASOK-ut, është shprehur se nuk është e gatshme të mbështesë një vendim, që vë në diskutim orientimin europian të vendit dhe se nuk do të votojë për shkatërrimin e Greqisë.
Mjaft i irrituar me kryeministrin Papandreu është shfaqur edhe kreu i opozitës greke, Antonis Samaras, i cili ka shprehur indinjatën e tij për argumentet, që zoti Papandreu dha përpara kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Nikolas Sarkozy. Sipas mediave greke, kryeministri grek e ka justifikuar vendimin e tij për referendum me mungesën e konsensusit politik të opozitës lidhur me paketën e shpëtimit.
Ndërkaq forca të opozitës, por edhe deputetë të pavarur kanë kërkuar krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar si e vetmja mënyrë për të mbajtur në këmbë marrëveshjen e 27 tetorit, e cila i fal Greqisë 50 përqind të borxheve.
mit/NOA