San Donato Milanese, 3 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Dy vajza të moshës 19 dhe 23 vjeçare arritën të shpëtojnë nga duart e shfrytëzuesve të tyre dhe falë kurajës apo ndoshta frikës, arritën të largohen dhe të bllokojnë një makinë të policisë duke treguar tmerrin që përjetonin.
Dy vajzat me origjinë nga Rumania për vite me radhë ishin shfrytëzuar si prostituta nga një bandë shqiptarësh, të cilët pasi i kërcënonin dhe torturonin i nxirrnin në rrugë.
Katër shqiptarë përfunduan në pranga pas dëshmisë rrënqethëse të dy vajzave, dhe tashmë u duhet të përballen dhe përgjigjen para drejtësisë për veprimtarinë e tyre.
Djemtë kishin detyruar vajzat të prostituonin pasi i kishin bërë të dashuroheshin me ta dhe u kishin premtuar lidhje serioze.
Sipas rrëfimit të vajzave, ata i kishin vëzhguar dhe gjuajtur për pak kohë dhe këtë e kishin bërë vetëm e vetëm për të fituar besimin e tyre.
Më pas i kishin mbyllur në një banesë në San Donato Milanese dhe i nxirrnin vetëm nëpër rrugët e Milanos dhe Comos për të prostituar nën kërcënime të vazhdueshme.
Njëra nga vajzat pak kohë më parë kishte përfunduar në spital me daullen e veshit të shpuar dhe me fraktura të rënda në trup.
Vetëm dje ankthi i dy vajzave përfundoi, pasi 4 shqiptarët përfunduan në pranga ndërsa kishin harruar edhe derën e banesës hapur gjë që bëri që të shpëtoheshin edhe disa vajza të tjera, viktima të tyre.
a.y/NOA