Shkup, 3 nëntor 2011, NOA - Rreth 2,7 miliardë dollarë është projektuar buxheti i shtetit për vitin 2012 në Maqedoni. Qeveria e Maqedonisë i ka dhënë dritë jeshile këtij projeksioni, që parashikon një defiçit buxhetor prej 163 milion euro apo 2,5 përqind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto.
Pjesa më e madhe e buxhetit dedikohet për investime kapitale, edhe ai 442 milion euro apo 28 përqind, kryesisht do të dedikohet për projekte infrastrukturore, ndërsa pjesa tjetër është parashikuar për sferat e tjera arsim, kulturë, shëndetësi dhe sferën sociale.
Rritja e GDP-së me këtë buxhet është projektuar në 4,5 përqind, kurse inflacioni 2,5 përqind.
Ministri i Financave, Zoran Stavrevski deklaroi se buxheti është real dhe objektiv.
“Parashikohet, që aktiviteti i përgjithshëm ekonomik për vitin 2012 të lëvizë kryesisht përmes rritjes së investimeve, që pritet të jenë 8,5 përqind dhe kjo do të rrisë investimet kapitale. Parashohim rritje graduale të punësimeve dhe ulje të shkallës së papunësisë”, theksoi ministri Stavrevski.
Partia shqiptare BDI thekson se ka arritur, që të sigurojë një buxhet proporcional, që plotëson edhe kërkesat e shqiptarëve, si në planin e investimeve kapitale, ashtu edhe në sferat e tjera.
Kjo parti vlerëson se 25 përqind e mjeteve nga investimet kapitale do të dedikohen për zonat dhe projektet shqiptare, ndërsa edhe këtë vit janë parashikuar punësime sipas nevojës së implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Projekt buxheti i është dërguar Parlamentit për miratim.
INA/NOA