English

Maxhoranca rrëzon dekretet e Topit. PS: Interesa klienteliste

Tiranë, 3 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Molla e sherrit e muajit të fundit, dekreti i Presidentit Topi për ligjin "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ka gjetur fund sot përmes votave të deputetëve të maxhorancës të cilët kanë rrëzuar dekretin e Kreut të Shtetit.

Me 73 vota kundër dhe 53 vota pro të opozitës Kuvendi pas seancës-maratonë ka rrëzuar dekretin e Presidentit Topi, për rishikimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Pavarësisht akuzave dhe thirrjeve të deputetëve socialist për mos votimin e këtij ligji, kreu i qeverisë u shpreh se ligji mbron vendin nga mbetjet toksike, ndërkohë akuzoi kreun e opozitës se po mbron klanet e tij mafioze.

Opozita përmes më shumë se gjysmës së grupit parlamentar e ka kundërshtuar kalimin e këtij ligji i cili sipas tyre mund të kthehet në një projekt për importin e plehrave nga vendet e Bashkimit Europian ndërsa vendi ynë nuk i ka kapacitetet për të kontrolluar mbetjet nëse do të jenë të rrezikshme apo jo.

Por krahas ligjit për plehrat është rrëzuar me 75 vota edhe propozimi i Presidentit Bamir Topi si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Sali Shehu.

Kryeministri Berisha: Arsyeja e mos votimit, Partia e Plehut

Kryeministri Berisha tha se arsyeja e vërtetë e debatit është krijimi i partisë së re nga presidenti Topi i mbështetur nga kryetari i PS-së. “Kjo ditë shënon “de facto” themelimin në këtë sallë të partisë së plehut. Pas themelimit të Aleancës së Plehut, shpërtheu epidemia: "O burra të gjejmë vota në plehra. Po bëhet gjithçka, që në plehra të mbijnë partiçka”, iu drejtua kryeministri deputetëve socialistë. Më tej ai ka argumentuar pse duhet votuar ligji. “Ligji është për mbrojtjen e Shqipërisë nga mbetjet toksike. Ai i imponon qeverisë të përjashtojë më vendim të Kuvendit të gjitha plehrat toksike, si edhe të importohen edhe mbetjet jotoksike. Jo ashtu si e bënë socialistët në vitin 2003. Sipas kësaj liste, në Shqipëri duhet të hyjnë 400 mbetje, por ligji që Qeveria ka miratuar lejon që të hyjnë 50 në tërësi, sipas kushteve që do të përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave. Asnjë prej tyre nuk është toksike. Nga këto mbetje, janë 37 mijë ton mbetje plastike dhe pjesa tjetër, alumin, plumb, tekstil,druri dhe magneziumi”, tha Berisha. Më tej ai akuzoi Ramën se, pas kalimit nga disfata në disfatë ka urdhëruar krijimin e një partie tjetër. “Gjeti faqezinjtë e u kërkoi të dilnin kundër regjistrimit për të shpëtuar pasuritë e fshehura. Por, shqiptarët u treguan vendi: Shkoni të partia e plehut! Në vend ka 1 milion e 70 mijë krah pune sipas statistikave zyrtare. Por shqiptarët nuk mund t’i gënjeni dot. Ju vetë krijoni një realitet që nuk ekziston dhe i besoni vetë atij. Kryetari juaj, bie në gjumë si Edi Rama dhe zgjohet njëherë si Obama, njëherë si Merkel apo si Sarkozy. Ju vetë keni firmosur ligjin për plehrat dhe tani silleni ndryshe si ju urdhëron Kryetari. Por zgjedhja juaj, është bllokimi. Viti 2013 po vjen dhe ju garantoj se do të dilni minus 500 mijë vota në raport me këtë koalicion”, e mbylli fjalën e tij kryeministri Berisha.

Ndërsa vetëm pak çaste para miratimit të ligjit ai u shpreh se, përveç partisë së plehut prapa qëndrimit të krerëve të opozitës qëndrojnë interesa mafioze. “I gjithë problemi i socialistëve ishte se do vendoset vendimi i qeverisë si kusht për çdo import dhe këtë këta nuk e kanë nga urrejtja ndaj meje, por e kanë nga dashuria që importuan për plehrat para këtij vendimi, sepse kanë frikë se do të shkurtojnë interesat lobiste të tyre, sepse ligji i disiplinon importet në mënyrën më të hekurt dhe ata kanë interesa mafioze”, u shpreh Berisha. Ai tha se aktualisht 6 mijë tonë mbetje eksportohen nga Shqipëria çdo vit dhe kjo do vijë në rritje. “Për shoqërinë civile e garantoj se do jetë bashkëvendimmarëse me Këshillin e Ministrave për çdo mbetje, dhe ua them në shenjë respekti sepse kanë qenë një zë i rëndësishëm për mbrojtjen e ligjit dhe ata që bëjnë militant i vlerësoj aty ku kanë qenë racional, por problemi ishte shkarja e madhe që bënë ata duke bërë thirrje për vota ata po luajnë për partinë dhe jo shoqërinë civile, ndaj dhe unë zotohem se çdo vendim qeverie do jetë proces i një konsultimi me shoqërinë civile dhe organizatat për mbrojtjen e mjedisit.

Ruçi: Berisha anulo ligjin, edhe nga plehrat do që të fitosh Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, përsëriti disa herë ashtu si kolegët e tij socialistë thirrjen për rrëzimin e këtij ligji.

Lidhur me akuzat e Berishës për Topin dhe Ramën ai tha se, “Ti shan Presidentit që ka dalë nga familja jote politike. Ky është vendimi yt, por ne nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri. Dhe bashkë ndahemi në dy pika: ligji nuk zgjidh menaxhimin dhe ti s’mund të na imponosh dot alternativen tendë. Ligji i parë, në seancën e parë që ti do të miratosh është ligji që ti bashkë me plehrat e tjera të zhdukesh nga Shqipëria. Hiq nenin 22 dhe pastaj hajde të ulemi të diskutojmë”.

Ndërsa në replikën tjetër mes tij dhe Kryeministrit Berisha pak para miratimit të ligjit, Ruçi tha se, “Në ligjëratën e gjatë z. Kryeministër, të shpëtonte një moment që vërtet thua të vërtetën. Dhe të vërtetën e the kur pranove që shqiptarët që na ndjekin me këtë debat e kuptojnë që qëndrojnë interesa. Kjo është shumë e vërtetë. E para. Por ata kuptojnë dhe një gjë tjetër dhe të pyesin ty, janë duke të ndjekur edhe tani. Mos u ngopsh, thonë ata, por edhe nga plehrat do që të fitosh. Së dyti, po mirë punët e tjera, që aq di dhe aq bën, thonë ata, por si mjek, si ka mundësi që e kthen në një tragjedi ekologjike këtë vend, si mjek, jo si kryeministër. Së treti, kur ke pasur të drejtë. Në 2004 që ke thënë, “importi i plehrave është një bombë ekologjike”, këtu në këtë tribunë që jam unë, apo sot. Edhe ne, meqë na përmende ti, edhe ministri yt, si rezultat i debatit që kemi zhvilluar, qoftë edhe për atë ligj që kemi miratuar, ne anuluam marrëveshjen më një kompani të shtetit Italian. Këtë kërkesë ka shoqëria civile që ti po qan sot. Anuloje! Mirato dekretin e Presidentit. Ky është refleksioni dhe kjo është ajo që duhet t’i tregosh popullit që ju drejtove sot nga kjo seancë”.

Në vijimësi deputetët socialistë njeri pas tjetrit theksuan se, ligji i shërben interesave klienteliste, ndërsa u shprehen për organizimin e një referendumi ku shqiptarët të pyeten për këtë çështje.

Plehrat, Rama: Saliu fyen popullin duke e trajtuar si budalla

Ndërsa kryeministri Berisha argumentonte në Kuvend, pse sipas tij duhen importuar plehrat, kryetari i PS-së, Edi Rama komentonte në rrjetin social Twitter deklaratat e kundërshtarit të tij politik. “Të thuash dua plehra nga jashtë është tradhëtia më e madhe kombëtare në kushtet kur vendi ka 1 milionë ton plehra rrugëve”, shkruajti Rama në profilin e tij, ndërsa Kryeministri Berisha citonte ligjin që lejon importin e mbetjeve jotoksike. Rama ka shkuar edhe më tej, duke e krahasuar Berishën me drejtuesin e shtetit somalez, në deklaratën e tij, vite më parë.

“Të njëjtin fjalim ka mbajtur edhe kryeministri i Somalisë kur e mori në qafë vendin e vet duke e bërë kosh plehrash”, citoi kryetari i PS-së në komentin e tij. Ky reagim i kryesocialistit erdhi pasi, Berisha krahas argumentimit të ligjit deklaroi se kryetari i PS-së po nxit krijimin e një partie të re, në mbështetje të Presidentit të Republikës. Ndërsa vetëm pak çaste pas miratimit të ligjit për importin e plehrave, nëpërmjet një mesazhi në faqen e tij në Twitter Rama u shpreh se, “Opozita importuaka plehra sipas Saliut! Vetëm kur të mbysin plehrat mund ta fyesh popullin tënd duke e trajtuar si budalla”.

Këshilli Mbikqyrës i Bankës, votohen kandidatët

Seanca e stërgjatë parlamentare e ditës së sotme, pas shumë debatesh më në fund nëpërmjet votës së ligjvënësve shqiptarët janë votuar edhe gjashtë propozimet për anëtarë të bordit të Këshillit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë.

Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani është emri i parë i miratuar me votat e maxhorancës, më pas kandidati Petraq Milo i cili ka mbajtur pozicionin e këshilltarit pranë Kryeministrit dhe Elisabeta Gjoni e cila aktualisht mban pozicionin e kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Krahas tyre janë miratuar edhe emrat e Dhori Kules, Rektori i Universitetit të Tiranës, Ela Golemi drejtoresha rajonale e një banke private, e propozuar nga Grupi Parlamentar i LSI-së dhe në fund deputetja socialiste Ermelinda Meksi, e cila pas marrjes së kësaj detyre, mandati i saj i kalon një deputeti të ri, djalit të deputetit të vrarë socialist Fatmir Xhindi, 24-vjeçarit Anduen Xhindi.

Në përfundim të votimeve kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cilësoi zonjën Meksi si një nga politikanet e para dhe me kontribut madhor në parlament dhe në Partinë Socialiste, si një politikane serioze dhe të përgatitur.

a.y/NOA

KOMENTE