Tiranë, 3 nëntor 2011, NOA- Deputetja Ermelinda Meksi, e propozuar nga Partia Socialiste për anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, komenton kandidimin dhe arsyet se përse ka vendosur të pranojë propozimin e kreut të PS-së, Edi Rama. Gjithashtu ajo flet dhe për vendimin personal për të hequr dorë nga politika pas 20 vitesh karriere.
“Unë mendova që duke pranuar këtë sfidë i rrisja vlerën ofertës së PS-së, në kuadrin e Paktit për Integrim, ku PS-ja tregoi seriozitet në një nga pikat e saj, për institucionet e pavarura tre veta, pranoi një, duke menduar që kapaciteti dhe cilësia i përballojnë këto kërkesa dhe ne realizojmë atë që dëshironim nga pikëpamja cilësore. Nga ana tjetër kjo është një kontribut për të zhbllokuar këtë situatë politike dhe për t’i dhënë rrugë hapave të mëtejshme të kalendarit politik, që politika shqiptare ka përpara”, tha Meksi në një intervistë për “Vizion Plus”.
Ajo ka sqaruar dhe arsyet se përse nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Ajo thotë se nuk ka shkelur Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. “S’mund ta dorëzoja mandatin përpara për shumë arsye. Ligji i ri ma mundëson këtë gjë se largimi im nuk e lë vendin bosh. Kushtetua thotë që mandati i deputetit është i papajtueshëm me postin e Presidentit dhe postin anëtarit të Bordit. Kushtetuta lexohet njësoj. Dua t’ju kujtoj që Presidenti i fundit, Bamir Topi, jo vetëm u votua pa dhënë dorëheqje, por edhe votoi për veten e vet. Të njëjtën gjë bëri dhe kandidati për President, Neritan Ceka”, tha ajo.
Ajo shton se do të vazhdojë të jetë e angazhuar në politikë. “Do të respektojë ligjin duke ruajtur pavarësinë e këtij institucioni ku do të jem pjesë”, tha Meksi.
NOA