Prishtinë, 3 nëntor 2011, NOA - Në një kohë kur Kosova synon fillimin e bisedimeve për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, Kombet e Bashkuara tregojnë shifra alarmante të kërkesave të kosovarëve për strehim politik në vendet e BE-së. Sipas të dhënave, Kosova zë vendin e tretë në botë në kërkesat e saj për azil politik, pas Afganistanit dhe Kinës.
Pas Kosovës në vendin e katërt dhe të pestë janë Iraku dhe Irani.
Në 44 vende të industrializura, nga këto pesë vende janë bërë 55 mijë kërkesa për azil, ndërsa në vendet ku më së shumti kërkohet azil politik prijnë SHBA-të, që pasohen nga Franca, Gjermania, Suedia dhe Britania e Madhe. Vetëm në pjesën e parë të vitit 2011, thuhet se nga Kosova dhe Serbia ka pasur 10300 kërkesa për azil.
Për shkak të mosnjohjes nga Kombet e Bashkuara, Kosova nuk trajtohet si një vend i pavarur dhe ajo futet në kuadër të kërkesave që vijnë nga Serbia (rezoluta 1244), mirëpo këtu sqarohet se katër nga pesë kërkesat për azil në gjashtë muajt e parë, kanë qenë nga kosovarët ose mbi tetë mijë.
Në Francë për shembull, numri më i madh i azilkërkuesve në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shënuar nga Kosova, rreth 2300.
Një e katërta e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani dhe një e treta e atyre në Suedi, kanë qenë nga Kosova.
Numri më i lartë i azilantëve që vijnë nga Kosova është në Francë, rreth 87 përqind; në Belgjikë, 57 përqind; në Gjermani 28 përqind; dhe në Suedi 37 përqind, thuhet raportin e Agjencisë për refugjatët në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Rtk/NOA