Tiranë, 3 nëntor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, kushtet e qëndrueshme atmosferike do të vazhdojnë të përfaqësojnë vendin tonë edhe gjatë kësaj dite ku kthjellimet do të jenë dominuese në pjesën më të madhe të tij. Në mesditë do të shfaqen vranësira të lehta në zonat malore veriore dhe ato juglindore.
Në pjesën e dytë të ditës parashikohet që moti i kthjellët të dominojë në ultësirën perëndimore dhe zonat bregdetare duke ndikuar në ngrohjen e mëtejshme të tyre, ndërsa zonat malore do të kenë alternime vranësirash dhe kthjellimesh. Gjatë natës nuk do të ketë ndryshim të situatës meteorologjike.
Temperaturat e ajrit në mëngjes nuk do të pësojnë ndryshime ku do të vazhdojmë të përjetojmë mëngjese të ftohta. Po ashtu edhe temperaturat në mesditë do të qëndrojnë konstante.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 28 km/h dhe drejtim veriperëndimor ndërsa dallgëzimi në det do të mbetet i ulët.
Europa
Nesër, Europa Jugperëndimore dhe Europa Qendrore do të dominohen nga vranësira dhe reshje të dendura shiu. Problematike do të paraqitet situata në Ishujt Britanike dhe në France pasi shirat do të bien në formë rrebeshi dhe do të shoqërohen me stuhi të forta ere. Gjithashtu me vranësira dhe reshje shiu do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme Gadishulli Iberik sidomos Portugalia ku shirat do të bien me intensitet të lartë dhe do të shoqërohen me stuhi të forta ere. Vranësira dhe reshje shiu e dëborë do të ketë edhe në zonën e Alpeve. Sërish deti në brigjet detare të gadishullit Iberik do të mbetet i trazuar. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinetit Europian do të karakterizohet nga moti i kthjellët.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Spanja do të mbetet me shira intensive dhe stuhi ere
- Portugalia do të alarmojë rrebesh shiu dhe dallgë të larta
- Ishujt Britanike do të mbeten me reshje shiu
- Rusia do të rrezikohet nga dëborë e dendur
a.y/NOA