English

PS: Shqipëria, Jo depo e plehrave të BE

Tiranë, 3 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve i kthyer për shqyrtim në Kuvend, nga Presidenti i Republikës, ka ndezur debatet në sallën e Kuvendit, mes opozitës dhe mazhorancës, që është plotësisht e bindur ta miratojë atë, me pretendimin se është sipas standardeve të BE-së.

Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi i bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos e votojnë ligjin për importin e plehrave, siç e cilësoi ai, duke theksuar se menaxhimi i integruar i mbetjeve është një emër i vënë kot, për të fshehur pikërisht atë, që do të importohet përmes ligjit, plehrat duke e kthyer Shqipërinë në një depo të plehrave të vendeve të BE-së.

“Plehrat janë kthyer në një gangrenë për Shqipërinë. Ky ligj duhet të kërkojë referendum. Pse keni frikë nga opinioni i shqiptarëve? Po votojmë një ligj jetik për të gjithë. Deputetë mos e votoni ketë ligj, në emër të fëmijëve, prindërve e brezave që do vijnë”, apeloi deputeti Klosi.

Ai akuzoi kryeministrin Berisha se me miratimin e ligjit po i çel rrugën mafjas së plehrave, duke e kthyer vendin në importues të plehrave.

“Ky ligj është për importin e plehrave ndaj ka ngjallur indinjatën e shqiptarëve. Kjo është qoka e radhës që kryeministri i bën ndonjë klani klientelist. Ligji në fjalë tregon se Shqipëria do të bëhet vend grumbullimi për plehra, Shqipëria do të bëhet depo plehrash. Ligji në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave”, theksoi nga foltorja e Kuvendit deputeti Blendi Klosi.

Në replikë me të, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, sqaroi se “ky ligj ka të bëjë me trajtimin e integruar të mbetjeve dhe jo importimin e plehrave’.

“Nuk bëhet fjalë për import plehrash”, tha Mediu, “por për import mbetjesh”.

“Le të ulemi në këtë proces të ndarjes së mbetjeve, le të propozojmë iniciativa ekonomike. Nëse pretendojnë se do të importojmë plehra jashtë hapësirës së gjelbër, edhe unë jam absolutisht kundër. Ky debat, që po zhvillohet ka një të mirë për ndërgjegjësimin e popullit për atë çka duhet të bëjmë me këtë ligj, të shkatërrojmë plehrat”, tha ministri i Mjedisit, duke mbrojtur ligjin e miratuar në Kuvend para tri javësh dhe të rikthyer nga Presidenti me një dekret për shqyrtimin e nenit për importin e plehrave.

mit/NOA

KOMENTE
  • Ylber Zenuni15:55 - 03 Nëntor 2011
    per cdo mengjes shikon gra e femije qe mbajne qese ne dore te mbushura me plehra dhe i hedhin tek lumi/pse se si mblell kerkush po taksa paguhet kur te kerkosh certifikate familjare do paguash per plehrat dhe do maresh certifikaten po spagove ska certifikate mire eshte ti trajtoni njehere ata plehra para se me fillu te trajtoni alet e botes