English

Referendumi grek që po revolton Europën

Nga Ardian Civici Në histori janë shumë të rralla rastet kur një referendum i një vendi mund të ketë pasoja në të gjithë botën. Aq më tepër kur ky referendum zhvillohet në një vend të vogël prej 10 milionë banorësh, në këtë botë tashmë shtatëmiliardëshe, në një vend që përfaqëson më pak se 2% të PBB të Europës dhe është në një shifër absolutisht të papërfillshme në ekonominë e financat botërore. Dhe, si për t’i vënë kapakun paradoksit, referendumi do t’i kërkojë popullit grek “të jetë dakord” apo të “refuzojë” planin europian dhe ndërkombëtar të ndihmës për ekonominë dhe financat greke që janë në katastrofë të plotë, duke rrezikuar me orë dhe ditë falimentimin e shtetit grek. Fatkeqësisht, siç duket nga sondazhet, grekët pritet të votojnë “jo”, duke e zhytur vendin në një situatë të komplikuar ekonomiko-financiare të paprecedentë, por duke e rrezikuar gjithë Europën drejt një kaosi me mjaft të panjohura. Nëse politika, figurat më autoritare publike të Greqisë apo partnerët europianë nuk do të arrijnë ta bindin politikën dhe popullin grek për faktin se “plani special shtrëngues i qeverisë” dhe “paketa e masave dhe ndihmës europiane” ishte e vetmja rrugë shpëtimi për Greqinë në këto momente, atëherë, siç shprehet ministri aktual i Financave, “referendumi është një rast unik për popullin grek që të bëjë një katarsis të dramës që po jeton”. E thënë kjo nga një grek dhe për një fjalë si “katarsis”, që e ka origjinën e lindjes në Greqinë e lashtë, nuk është as më shumë e as më pak se “ne duhet të pastrohemi nga pasione të sëmura nëpërmjet kësaj tragjedie ku ndodhemi”. Vendimi i Kryeministrit Papandreu, që pak ditë më parë, në vigjilje të planit europian të shpëtimit do të deklaronte entuziast se “Greqia po hyn në një erë të re”, i shoqëruar me pohimin e ministrit të Financave se “tashmë borxhi grek bëhet i menaxhueshëm”, ishte reagim i pastër ndaj presionit popullor mjaft të ashpër që po përjeton Greqia këto javët e fundit. Vendi është pothuajse i paralizuar, grevat dhe tensionet e ashpra sociale ndjekin njëra-tjetrën, aktiviteti ekonomik është i asfiksuar dhe duket sikur askush nuk punon më në Greqi. Psikologjia e mjaft njerëzve se “nuk kemi më asgjë për të humbur” po e bën mbytëse situatën, ndërkohë që, për herë të parë që nga rivendosja e demokracisë në Greqi, në vitin 1974, parada ushtarake në kuadrin e festës kombëtare anulohet duke e detyruar Presidentin e Republikës, Karolos Papulias, që të braktiste tribunën solemne. Tashmë, përballë deklaratës zyrtare të Kryeministrit Papandreu, se “vullneti i popullit grek na imponohet ne të gjithëve”, organizimi i referendumit duket një “fait accompli”. Por, pikëpyetja e madhe qëndron në përgjigjen që grekët do të japin, nëse janë dakord apo kundër? Nëse do të jetë “JO”, përgjigjja e tyre, siç duket edhe nga sondazhet e realizuara këto ditë, që tregojnë se rreth 60% e grekëve janë absolutisht kundër marrëveshjes së 26 tetorit me BE-në, atëherë gjithçka pritet të komplikohet për keq. Por, ky skenar i papritur grek, jo vetëm që i gjeti të papërgatitura vendet e eurozonës dhe BE-së që po bënin gjithçka për ta shpëtuar Greqinë nga kriza totale, por dhe i surprizoi negativisht ata. Mjaft personalitete të larta politike e drejtuese në Europë shprehen se Kryeministri grek “hapi kutinë e Pandorës”, që është e dëmshme për vetë popullin e tij, për të ardhmen e Greqisë dhe po kaq e dëmshme për gjithë zonën euro. Europianët po ndihen të çuditur dhe të shqetësuar nga ky qëndrim i qeverisë greke, e cila mori një vendim që prek rëndë gjithë vendet anëtare të zonës euro dhe të BE-së, pa u konsultuar paraprakisht me këto vende. Europianët i kujtojnë Greqisë se “ata bënë shumë për t’u treguar solidarë me popullin dhe qeverinë greke…, por ky solidaritet duhet të funksionojë nga të dy krahët”. Kryeministri francez, Fillon, deklaronte dje se “natyrisht, në demokraci, t’i drejtohesh popullit është më se legjitime, por neve na vjen keq që ky vendim u mor në mënyrë unilaterale për një problem që prekte gjithë partnerët e Greqisë”. Mbas marrëveshjes së 31 tetorit që 17 kryetarët e qeverive të zonës euro arritën, europianët menduan që “tërmeti i krizës greke ishte tashmë pas shpine”. Por, europianët nuk menduan asnjë zgjidhje tjetër “rezervë” nëse Greqia refuzon planin e shpëtimit dhe përballë vendimit të mundshëm “JO” të grekëve, vlerësojnë një risk të jashtëzakonshëm për stabilitetin e zonës euro, të ardhmen e vetë euros si monedhë e përbashkët, dobësimin e efekteve të pritshme te Fondit Europian të Stabilitetit Financiar dhe një pamundësi manovrimi e zgjidhjeje të qëndrueshme për “krizën e tyre të borxheve sovrane dhe stabilitetin e sistemit bankar europian. Europianët janë jo vetëm të revoltuar, por dhe të alarmuar, duke ia bërë të qartë Greqisë se “ata kanë të drejtë të bëjnë një referendum, por jo më larg se fundi i vitit dhe vetëm duke shtruar si pyetje pjesëmarrjen në zonën euro”, ndërkohë që ka edhe zëra që shkojnë akoma më tej duke u shprehur se “nëse grekët thonë ‘JO’ për zonën euro…, le të dalin prej saj”. Skenar më problematik se ky, zor se mund të mendohej, qoftë edhe 2-3 ditë më parë. Por, bashkë me europianët, duket se po kaq të alarmuar janë dhe pjesa kryesore e vendeve dhe ekonomive më të zhvilluara të planetit, të mbledhura në kuadrin e G20-s në Cannes (Kanë) të Francës. Ky takim i radhës i G20-s, që në vetvete përfaqësojnë 80% të PBB botëror dhe mbi 65% të popullsisë botërore, ishte parashikuar të kishte një axhendë “normale ndërkombëtare” në emër të gjetjes së rrugëve më të mira të “qeverisjes ekonomike globale”. Për t’i dhënë këtij takimi një profil sa më social, aty janë ftuar përfaqësues të shumtë të sindikatave, shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe drejtuesit kryesorë të bizneseve më të mëdha të 20 vendeve më të pasura të planetit. Vendimi i Kryeministrit Papandreu për mbajtjen e referendumit, dhe më shumë se kaq, rreziku që kriza europiane e borxheve të shpërthejë përsëri nëse grekët thonë “JO”, e ndryshoi tërësisht axhendën e G20-s. Në vend të takimeve të rëndësishme të parashikuara ndërmjet Presidentit francez Nikola Sarkozi me homologun e tij kinez, Hu Jintao, ato të drejtuesve kryesorë europianë me FMN-në, takimet me Presidentin Obama për zhvillimet në botën arabe dhe veçanërisht në Libi e Siri, diskutimet për ndihmat për zhvillim dhe reduktimin e varfërisë, rregullimin e tregjeve agroushqimore dhe fluksit të kapitaleve, tensionet ndërmjet monedhave të vendeve më të fuqishme etj., gjithçka duket se do të mbulohet me hije nga “çështja greke”. Ndërkohë që europianët dhe gjithë vendet e G20-s po bëheshin gati t’i shprehnin botës se “investitorët e ekonomive më të mëdha të botës, nëpërmjet rregullimit të financave dhe transformimin e sistemit monetar botëror, kanë një vizion afatgjatë për qeverisjen globale, si dhe një vullnet të qartë për zgjidhjen e krizave duke nënvizuar si elementin çelës solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet tyre”, “Kali i Trojës” edhe këtë radhë duket se po ndryshon thelbin e këtyre përpjekjeve. Europianët dhe gjithë partnerët e tjerë po tentojnë dhe shansin e fundit. Të gjithë përballë Papandreut. Presidenti francez, Sarkozi, kancelaria gjermane, Merkel, drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde, përfaqësuesit më të lartë të institucioneve europiane si Këshilli i Europës, Komisioni Europian, Eurogrupi, Banka Qendrore Europiane) do të tentojnë in extremis ta vënë Kryeministrin grek përpara përgjegjësisë për të vënë në balancë suksesin apo mbijetesën e tij politike në Athinë me përgjegjësitë europiane të Greqisë. Europianët do të kishin preferuar që Papandreu të kishte kurajën dhe të ndiqte shembullin e Kryeministrit spanjoll, Zapatero dhe të shpallte zgjedhjet e parakohshme duke respektuar planin special shtrëngues ekonomik e financiar. Meqenëse në horizont nuk ka asnjë zgjidhje apo skenar tjetër të mundshëm, Papandreut do t’i shtrohet hapur pyetja mjaft delikate: Nëse grekët e hedhin poshtë planin europian të rimëkëmbjes, a doni ju që Greqia të dalë nga zona euro? A mendoni se “mund të hidhet poshtë një plan shpëtimi dhe solidariteti që i kushtoi shumë Europës” me një largim nga zona euro? Europianët vlerësojnë se kjo do të ishte një vetëvrasje për Greqinë, aq më tepër që financat publike greke rrezikohen seriozisht nga një falimentim në fund të dhjetorit 2011. A duhet vazhduar t’i jepen Greqisë ndihmat dhe borxhet e premtuara? Qeveria greke po pret me padurim transhin e fundit prej 8 miliardë eurosh që do të jepet në formë ndihme nga FMN dhe kreditë dypalëshe ndërmjet shteteve të BE-së, ndërkohë që akordimi i këtyre 8 miliardë eurove kushtëzohej nga pranimi nga qeveria dhe Parlamenti grek i planit europian të shpëtimit, d.m.th. të pranimit të reduktimit me 50% të borxhit sovran grek dhe ndihmës europiane prej 130 miliardë eurosh të vendosur në Bruksel më 26 tetor. Por, a mund t’i derdhen normalisht këto para Greqisë? FMN ka filluar të dyshojë, ndërkohë që europianët janë në një dilemë të fortë: a duhet ndihmuar një vend që refuzon angazhimin dhe detyrat e tij europiane? Europianët duhet t’u kthehen disa pyetjeve fondamentale: A vepruan drejt kur pranuan Greqinë në BE dhe zonën euro? A duhet të ndryshojnë thelbësisht politikat e tyre të zgjerimit? A mundet që një vend që për më shumë se dy dekada ka përfituar maksimalisht nga BE dhe zona euro, të vendosë që të dalë lirshëm prej saj pavarësisht pasojave kolektive për monedhën e përbashkët? A duhet konceptuar një Europë e re monetare?. Të gjithë sytë e vëmendja është e përqendruar te Greqia, ndërkohë që të gjitha shpresat janë në një vendim të pjekur e korrekt të saj. Në rast të kundërt, skenarët janë të rrezikshëm e të paparashikuar në efektet e tyre. Gazeta "Panorama"

KOMENTE
  • Marenglen Arapi17:22 - 03 Nëntor 2011
    Zhvillime shume interesante dhe te papritura madje shokuese. Te kerkosh ndihme ne emer te popullit, ta marresh ate dhe pastaj ta pyesesh popullin nese e do - kjo eshte ajo qe ka bere Papandreu. E shoh si nje votebesim qe ai i kerkon popullit per te riafirmuar veten edhe per t'i mbyllur gojen opozites, d.m.th me nje gur te vrase dy zogj, mirepo momenti i zgjedhur eshte ne mos delikat, tejet i rrezikshem per fatin e karrieres politike te z. Papandreu, per stabilitetin politik ne Greqi apo ne krejt zonen euro. Z. Papandreu po luan shume fort me karta qe duket qarte qe jane ne disfavorin e tij mirepo edhe ne kete rast ashtu si gjithmone ai qe e peson me shume eshte populli. Le te presim c'do te ndodhe ne te ardhmen duke shpresuar me te miren per popullin se pari.