English

Samiti i G20, Merkel e Sarkozy ultimatum Greqisë

Kanë, 3 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Në krye të samitit të vendeve të G20, që po mbahet sot në Kanë të Francës, Presidenti francez dhe kancelaria gjermane i kanë vënë ultimatum Greqisë, që të bëjë të pamundurën për të qëndruar në eurozonë dhe për të respektuar paktin, përndryshe do të humbasin çdo lloj ndihme.

Presidenti francez Nicholas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela Merkel i bënë të qartë kryeministrit grek Jorgos Papandreu, se nga ajo çfarë do të vendosë populli grek në referendum, do të varet edhe dhënia e këstit të gjashtë të kredisë për shpëtimin e Greqisë nga kriza financiare.

“E thamë qartësisht, se kësti i gjashtë do të jepet nga Evropa, vetëm në rast se Greqia do të pranojë marrëveshjen e 27 tetorit të nënshkruar në Bruksel.

Ndërkohë, që raporti mes Greqisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian sa vjen e shtrëngohet për shkak të thirrjes së referendumit popullor nga kryeministri helen për masat e shpëtimit të Greqisë nga falimentimi, edhe situata brenda ekzekutivit grek bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Kryeministri helen Jorgos Papandreu vazhdon të mbështesë fuqishëm idenë e referendumit popullor mbi planin e shpëtimit, ndërsa ministri i Financave Evangelos Venizelos deklaroi se është kundër një referendumi popullor për pyetjen mbi qëndrimin e Greqisë në eurozonë apo jo.

Kjo për shkak se, Venizelos e cilëson një arritje historike të popullit grek, hyrjen në zonën e Euros, dhe kjo sipas tij, nuk duhet vënë në diskutim nga një referendum popullor.

Por, vetë kreu i qeverisë greke, Papandreu deklaroi se është i sigurtë se populli grek do t’i thotë “PO” planit për shpëtimin e Greqisë.

“Nuk gjetëm konsensus nga opozita, por jam i sigurtë se populli grek do të japë miratimin e tij për marrëveshjen evropiane të 27 tetorit. Grekët janë të mençur dhe do të dijnë të marrin vendimin e duhur për të mirën e vendit”, garantoi gjatë takimit me krerët e BE-së, kryeministri grek Jorgos Papandreu, i cili konfirmoi se referendumi popullor me pyetjen: “Greqia Po apo Jo në Euro”, do të organizohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Papandreu preçizoi se ndoshta e diela e 4 dhjetorit do të ishte një ditë ideale për referendumin.

Polemikat kundër referendumit nuk vijnë vetëm nga ministri grek i Financave Evangelos Venizelos, pasi mendimit të tij i është bashkuar edhe zëvendëskryeministri grek Pantelis Oikonomou, i cili e gjykoi të pamenduar mirë kërkesën për referendum, duke i kërkuar kryeministrit Papandreu të tërheqë urgjentisht propozimin.

Referendumi popullor grek do të bëhet mbi pyetjen: “Duhet të qëndrojë Greqia në eurozonë apo jo?

“Euro duhet të jetë një monedhë e qëndrueshme dhe ne duam, që kjo të ndodhë me ose Greqinë anëtare. Tashmë u takon grekëve të vendosin nëse duan të ecin me ne apo jo”, deklaroi dje, Presidenti francez Nicholas Sarkozy gjatë takimit që parapriu samitin e sotëm të G20.

Ishte hera e parë, që liderët e BE-së do të shpreheshin kaq qartë për mundësinë që një vend të braktisë euron.

Madje me këtë mendim u bashkua edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe presidenti i Eurogruppo Zhan Klod Juncker, ndërkohë, që FMN është dakord me ndërprerjen e dhënies së 8 miliard eurove.

mit/NOA

KOMENTE